Nga John Bolton, The Wall Street Journal
Këshilltarët e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, kanë sinjalizuar se do të mbështeten tek marrëveshjet aktuale të kontrollit të armëve me Rusinë, për të zvogëluar buxhetin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Kjo qasje nuk është e befasishme nga një administratë e re liberale, që premton një rritje të ndjeshme të shpenzimeve të brendshme.
Por një mandat i dytë i Trump, mund të kishte qenë pak më i mirë. I etur për t’u kënaqur me shpenzimet e paketës stimuluese për shkak të pandemisë së Covid-19, dhe i bindur për keq-menaxhimin e Pentagonit, madje edhe nga të emëruarit e tij, Trump ishte një pre e lehtë për senatorin Rand Paul.
Lexo edhe: Sulmi ndaj Capitolit ishte parashikuar në serialin që transmetohet në ABC
Por mbështetja tek marrëveshjet e kontrollit të armëve me Rusinë, është një naivitet i madh. Çfarëdo kursimi relativisht i vogël fiskal që mund të ndodhë, do të tejkalohet në planin afatgjatë nga kërcënimet në rritje jo vetëm nga Moska, por edhe nga Pekini dhe shtetet diktatoriale që synojnë të bëhen fuqi bërthamore.
Vendimi i parë i zotit Biden për kontrollin e armëve, do të jetë nëse do të ndodhë, për sa kohë do të zgjatet traktati i NEW START. Ai skadon zyrtarisht më 5 shkurt, por mund të zgjatet deri në 5 vjet të tjera, tërësisht ose pjesërisht.
Kërcënimi i skadimit të traktatit, duhet të jetë një levë e fuqishme negocimi për SHBA-në, por Biden duket i sigurt se do t`a zgjasë atë në një formë. Kohët e fundit, Vladimir Putin propozoi një zgjatje 1-vjeçare të traktatit, mbase i shqetësuar se nuk kishte marrë asnjë sinjal nga presidenti i zgjedhur.
Joe Biden duhet të ofrojë vetëm 6 muaj shtyrje, duke mbajtur kështu situatën e nxehtë, dhe duke i treguar presidentit rus se ekipi i tij do të jetë më shumë se stenografë për diplomatët e Moskës. Çështjet më të mprehta politike, janë ende ato që Sekretari i Këshillit të Sigurisë në Rusi, Nikolai Patrushev dhe unë diskutuam në gushtin e vitit 2018, të vazhduara nga Marshall Billingslea deri në zgjedhjet e vitit 2020,që sollën humbjen e Trump.
Nëse do t`i adresojnë dhe sa seriozisht do t’i adresojnë negociatorët e Biden këto çështje, kjo do të përcaktojnë nëse marrëveshja e rishikuar e NEW START ka ndonjë shans të miratohet nga shumica e 2/3 të Senatit siç kërkohet nga Kushtetuta e SHBA-së.
Por vetë NEWSTART ka 3 defekte thelbësore:Ai i lë jashtë armët bërthamore taktike; është teknologjikisht i vjetruar, dhe nuk adreson zhvillimet e kohëve të fundit siç janë armët hipersonike; dhe së treti faktin që Kina nuk është pjesë e tij.
Marrëveshja ekzistuese nuk mbulon armët bërthamore taktike, pra ato të destinuara përgjithësisht për përdorim në fushën e betejës, në krahasim me armët bërthamore strategjike, që zakonisht janë më të fuqishme dhe me rreze më të gjatë, të destinuara për shënjestra në terrorin e armikut apo vende të tjera thelbësore.
Gjatë debatit mbi ratifikimin e tij në vitin 2010, ky lëshim bindi 2/3 e senatorëve republikanë që të votojnë kundër traktatit. Kërcënimi global nga armët taktike, nuk është zbehur aspak në këto 10 vite. Vendosjet e mëtejshme të armëve të reja ruse, të shoqëruara zakonisht me shkelje të kufizimeve të tjera të traktatit, dhe një rritje të konsiderueshme të arsenaleve taktikë bërthamore të Kinës, janë serioze dhe po vazhdojnë.
Edhe zyrtarët rusë e pranojnë që aftësi të tilla, sikurse është teknologjia e raketave hipersonike, nuk ishin parashikuar në marrëveshjen e NEW START, dhe duhet të adresohen. Moska dhe Pekini janë përpara Uashingtonit në vendosjen operacionale të raketave hipersonikëve dhe teknologjive të tjera të përparuara.
Do të ishte një keqpërdorim buxhetor dhe gafë strategjike nëse Biden do të besonte se mund të bazohet tek hipoteza se Rusia do t`a zbatojë traktatin, e lëre më pastaj në rastin e Kinës. Një qasje miope, do të bënte që Shtetet e Bashkuara të mbeten edhe më tej prapa në këtë fushë jetike.
Rusia është e gatshme t`a përfshijë edhe Kinën në negociata për pasardhësin e NEW START. Megjithatë, Moska e ka pranuar deri më tani justifikimin e Pekinit, se arsenali i tij aktual strategjik bërthamor është shumë i vogël për të garantuar pjesëmarrjen në një traktat të tillë.
Por pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i çështjes: A duhet që SHBA-ja të presë derisa Kina të arrijë nivelin e saj komod të armëve strategjike bërthamore, dhe vetëm atëherë mund të fillojnë negociatat për uljen e aftësive të saj?
Kontrolli bashkëkohor i armëve, nuk do të jetë një përpjekje serioze, në rast se Kina mbetet një spektatore. Për të qetësuar shqetësimet e Pekinit, administrata Biden duhet të ftojë që t’u bashkohet bisedimeve me Parisin dhe Londrën. Kështu, në negociata do të përfshihen të pesta shtetet që zotërojnë në mënyrë të ligjshme armë bërthamore, duke e privuar Kinën nga justifikimi për t’u ankuar.
Gjithashtu, këshilltarët e Biden duken të hapur ndaj dëshirës së Rusisë për të ringjallur Traktatin e Forcave Bërthamore me Distancë të Mesme (INF), nga i cili Amerika u tërhoq në vitin 2019. Por qoftë përmes një marrëveshjeje të re, apo përmes përfshirjes në një kornizë të rishikuar të NEWSTART, ringjallja e INF është shumë e rrezikshme.
Premtimet e rusëve se do të ndryshojë kurs dhe do të zgjidhin mosmarrëveshjet, mund t`i joshin ata në Evropë. Por Evropa është një konsideratë dytësore. Shtysa për tërheqjen e SHBA-së nga INF, ishte fakti që ajo nuk përfshinte Kinën -raketat balistike të së cilës po e shkelnin traktatin – dhe as vendet si Irani dhe Koreja e Veriut.
Mosrespektimi i atij traktati nga Rusia, mungesa në të e Kinës,por dhe e shteteve të tjera me armë bërthamore, nënkuptonte që SHHB-ja ishte i vetmi vend në botë që respektonte vërtet kufizimet e INF.
Dhe armatosja e shpejtë e Pekinit me armë bërthamore strategjike, nuk do të ndalet për shkak të rifillimit të bisedimeve SHBA-Rusi për zgjatjen e NEW START. Këto janë çështje serioze. Kjo nuk do të jetë sfida e parë e zotit Biden në këtë fushë, por ajo që do të bëjë ai së shpejti, mund të përcaktojë drejtimin ideologjik dhe kompetencën e presidencës së tij. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al