Milani ka marrë një lajm të mirë, pasi lojtarët e kthyer nga kombëtaret kanë dalë negativë në testet e bëra për COVID-19. Të vetmit lojtarë të infektuar te kuqezinjtë janë Matteo Gabbia dhe Leo Duarte, të cilët janë të izoluar.
Në orën 19:00 lojtarët do të bëjnë edhe një tampon tjetër dhe shpresohet që të mos ketë të prekur të tjerë. Nga ana tjetër trajneri Stefano Pioli po mendon edhe për formacionin që do të zbresë në fushë nesër kundër Interit.
Në mungesë të Ante Rebic, i përzgjedhuri për krahun e majtë të sulmit pritet të jetë Ibrahim Diaz. Ai ka fituar garën me belgun Alexis Saelemaekers, ndërsa në të djathtë shanset më të mëdha i ka për të luajtur titullar Samu Castillejo.
MERKATO – Milani ka tentuar të afrojë në skuadër francezin Nabil Fekir, i cili ka rigjetur formën e tij te Real Betis. Kuqezinjtë u përpoqën të nënshkruajnë me anësorin, por klubi spanjoll kishte kërkesa të larta financiare.
40 milion euro janë një shumë që Milani nuk mund ta paguajë në këto kushte. Në Spanjë raportojnë se klubi italian nuk ka hequr dorë nga mesfushori dhe se do të tentojnë sërish në janar, kur të hapet merkato. /abcnews.al