Test para turneut në Bosnje, Shqipëria U16 mund Shqipërinë U15

schedule11:39 - 1 Maj, 2022

schedule 11:39 - 1 Maj, 2022

Ekipet Kombëtare U-15 dhe U-16 kanë zhvilluar një ndeshje miqësore në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Kombëtarja U-15 e drejtuar nga trajneri Armand Dama ka nisur grumbullimin që ditën e premte në kuadër të pjesëmarrjes në turneun ndërkombëtar “Josip Katalinski Škija” për këtë grup-moshë që do të zhvillohet në Bosnje – Hercegovinë në datat 3-5 maj 2022.

Ndërsa, Kombëtarja U-16 ka ftuar 22 lojtarë posaçërisht për këtë miqësore me trajnerin Agron Kërçova që shfrytëzoi këtë mundësi për të testuar lojtarët e spikatur të kampionatit shqiptar.

Ndeshja ka qenë e një niveli të mirë, teksa është vëzhguar edhe nga disa trajnerë të tjerë të ekipeve Kombëtare të moshave dhe specialistë të Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF.

Sa për statistikë ndeshja është fituar 3-1 nga Kombëtarja U-16, ndonëse në të tilla teste rezultati është në plan të dytë, pasi më e rëndësishme është vënia në provë e futbollistëve në një ndeshje të vërtetë.

Të dy teknikët kanë hedhur në fushë të gjithë futbollistët që kishin në dispozicion. Për Kombëtaren U-16 miqësoret dhe grumbullimet janë një mundësi e mirë për të formuar grupin që pritet të përbëjë edhe bërthamën e Kombëtares U-17 vitin e ardhshëm. / fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!