Nga Mevlüt Çavuşoğlu, Al Jazeera
Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Në mbrëmjen e 15 korrikut 2016, “Organizata Terroriste” (FETO) nisi një tentativë të përgjakshme kundër popullit dhe qeverisë së vendit tim. Qëllimi i tyre ishte të krijonin një regjim radikal, fondamentalist, besnik vetëm ndaj kreut të tyre Fethullah Gylen.
Ndërsa njësitë e ushtrisë të lidhura me FETO lanë kazermat e tyre për të pushtuar lokacione kyçe, si ura e Bosforit në Stamboll, dhe avionët luftarakë dhe helikopterët bombarduan objektiva strategjikë duke përfshirë parlamentin, kompleksin presidencial, selinë e ushtrisë dhe policisë; mijëra civilë dolën në rrugë për të ndaluar këtë tentativë të pashembullt grusht shteti.
Komplotuesit vranë 251 civilë të pafajshëm dhe me mijëra mbetën të plagosur.
Atë natë populli turk e mbrojti me jetë demokracinë.
Kjo përgjigje heroike ishte diçka që komplotistët nuk e kishin parashikuar. Për të kuptuar atë që ndodhi, duhet kuptuar natyrën e vërtetë të FETO-s. FETO u krijua në fund të viteve 1960 si një e ashtuquajtur “lëvizje fetare”. Me maskën e promovimit të arsimit dhe dialogut ndërfetar, arriti të mbulojë qëllimet e saj keqdashëse.
Infiltrimi i mirëplanifikuar dhe i përhapur nga anëtarët dhe të konvertuarit e FETO-s në ushtri, në organet e rendit, në gjyqësor dhe në institucione të shumta qeveritare, përfshirë ministrinë, u krye për dekada në mënyrë klandestine për një plan gjithëpërfshirës, faza e fundit e të cilit u shpalos më 15 korrik 2016.
Nëse përpjekja për grusht shteti do të kishte sukses, sot Turqia do të ishte shumë ndryshe.
Demokracia nuk do të kishte ekzistuar dhe të drejtat dhe liritë themelore do të ishin pezulluar për një kohë të pacaktuar. Kombi do të kishte rënë në duart e një qeverie ekstremiste. FETO jo vetëm që kontrollonte një pjesë të konsiderueshme të institucioneve arsimore, por zotëronte edhe shumë institucione financiare.
Llogaritë e tyre bankare “ushqeheshin” nga anëtarë të shquar të FETO-s në industri dhe tregti, si dhe nga zyrtarë dhe anëtarë të publikut. Shumë civilë të pafajshëm u joshën gjithashtu për të kontribuar në financat e FETO-s. Të ardhurat e mëdha të nxjerra nga shkollat e tyre anembanë globit u kanalizuan në këto llogari në mënyrë klandestine duke pritur për lëvizjen e tyre përfundimtare.
Pas tentativës së përgjakshme të grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016, filloi një spastrim i vendosur i sektorit publik, duke përfshirë institucionet qeveritare dhe ushtrinë, si dhe të sektorit privat nga të gjithë personat dhe kompanitë e lidhura me FETO-n.
Disa komplotistë të njohur janë kapur. Të tjerë i shpëtuan drejtësisë dhe janë strehuar në vende të huaja. Kreu i organizatës terroriste FETO, Fethullah Gylen, ende jeton në Shtetet e Bashkuara.
Qeveria jonë prej vitesh kërkon ekstradimin e Gylenit në Turqi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe atë të anëtarëve të FETO-s nga vendet europiane. Fatkeqësisht, këto kërkesa ende nuk janë marrë parasysh.
Nga ana tjetër, kudo në botë, një numër në rritje i qeverive e kuptojnë rrezikun që kjo organizatë terroriste paraqet edhe për to dhe po ndërmarrin hapat e nevojshëm. FETO është gjithashtu e angazhuar në aktivitete të paligjshme si mashtrimi i vizave, pastrimi i parave dhe trafiku i armëve.
Rrjedhimisht, anëtarët e FETO-s po pastrohen nga sektori publik dhe privat në shumë vende. Shumë shkolla të lidhura me këtë organizatë terroriste jashtë vendit i janë transferuar Fondacionit Turk Maarif pas vitit 2016.
Sot shkollat Maarif funksionojnë në shumë vende.
Natyra dhe fushëveprimi i luftës së Turqisë kundër FETO-s nuk janë të ndryshme nga vendet e tjera kundër organizatave që kanë terrorizuar zyrtarë dhe civilë dhe kanë rrezikuar vlerat demokratike, të drejtat dhe liritë themelore.
Turqia po bën atë që kanë bërë në të kaluarën vendet përkatëse në luftën e tyre kundër terrorizmit. Të gjitha procedurat janë në përputhje me ligjin.
Terrorizmi nuk ka kombësi, etni apo fe.
Diçka e tillë kërcënon njerëzimin në tërësi. Prandaj, përgjigja ndaj këtij kërcënimi duhet të jetë e bashkuar dhe e vendosur. Asnjë shtet nuk ka luksin të bëjë dallimin mes terroristëve dhe asnjë organizatë terroriste nuk mund të klasifikohet si “e dobishme”, sipas preferencave.
FETO është përgjegjëse për qindra të vrarë si dhe për krime të tjera të rënda kundër popullit turk.
Gjashtë vite pas 15 korrikut 2016, Turqia vazhdon luftën e saj të vendosur kundër FETO-s, ashtu siç vazhdon luftën e saj kundër organizatave të tjera terroriste si PKK, PYD-YPG, DHKP/C dhe Daesh (ISIL ose ISIS).
/abcnews.al