“Territor i pastër”/ Asgjesohen mbi 5 mijë fidanë dhe bimë kanabisi në Lezhë, Elbasan e Shkodër. Dy në pranga, një në kërkim

schedule10:36 - 24 Qershor, 2024

schedule 10:36 - 24 Qershor, 2024

Rreth 5396 fidanë dhe bimë kanabisi janë asgjesuar në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër në kuadër të operacionit policor të koduar “Territor i pastër”.

Në pyllin e fshatit Gëziq në Mirditë, u gjetën 500 fidanë kanabisi në kubikë. Në pranga u vu 35-vjeçari Maringlen Gjeta dhe në kërkim u shpall vëllai i tij. Për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Gëziq dhe për një 65-vjeçar, specialist pyjesh për zonën e Gëziqit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë gjetur në territorin e fshatit Vinjoll, Kurbin, 288 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Vinjoll, 52 vjeçar dhe për një 36-vjeçar, inpektor pyjesh në fshatin Vinjoll.

Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan gjetën në terren malor, në fshatin Bodin, 29 bimë narkotike cannabis sativa. Lidhur me këtë rast, u arrestua një 44-vjeçar. Ndërkohë, u proceduan penalisht kryetari i fshatit Bodin, për shpërdorim të detyrës, dhe xhaxhai i të arrestuarit, për moskallëzim të krimit.

Gjithashtu, shërbimet e DVP Shkodër kanë gjetur në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Postribë dhe Temal, 4167 fidanë dhe 412 bimë narkotike cannabis sativa./abcnews.al