Terri elektrik mbulon Argjentinën dhe Uruguain

schedule22:22 - 16 Qershor, 2019

schedule 22:22 - 16 Qershor, 2019

Një defekt masiv elektrik ka lënë tërësisht pa energji shtetet e Argjentinës dhe Uruguait. Sipas mediave ndërkombëtare, që citojnë furnizuesin kryesor me elektricitet të Argjentinës, ndërprerja ka prekur edhe pjesë të Brazilit dhe Paraguait.

Media argjentinase bën të ditur se ndërprerja u verifikua mëngjesin e së dielës, me orën lokale, duke shkaktuar vonesa në trafikun hekurudhor dhe probleme në atë rrugor.

Episodi u verifikua teksa qytetarët në disa pjesë të vendit latin po përpiqeshin të shkonin për të votuar për zgjedhjet vendore. Ministri argjentinas i Energjitikës, Gustavo Lopetegui ka deklaruar se shkaqet e defektit nuk janë verifikuar ende.

Ndërsa Ministria për Mbrojtjen Civile ka vlerësuar se pjesërisht energjia do të kthehet pas disa orësh. Në kryeqytetin Buenos Aires elektriciteti është kthyer në disa zona, ndërkohë që dy aeroportet kryesore po punojnë me gjeneratorë.

Edhe në Uruguai, sipas autoriteteve vendase, energjia është rikthyer në zonat bregdetare. Popullsia e dy vendeve latine të marra së bashku është rreth 48 milionë banorë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!