Tërmeti tragjik, nis me një minutë heshtje seanca plenare në Kuvend

schedule10:12 - 26 Nëntor, 2020

schedule 10:12 - 26 Nëntor, 2020

Ka nisur me një minutë heshtje seanca e sotme plenare në Kuvend, me kërkesë të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në nder të viktimave të tërmetit tragjik.

“Zonja dhe zotërinj deputetë. Si sot, një vit më parë, Shqipëria u godit nga tërmeti më i fuqishëm i dyzetë viteve të fundit.

Durrësi, Thumana, Tirana, Laçi Lezha ishin zonat më të goditura. 51 jetë njerëzore u humbën dhe mbi tre mijë njerëz u plagosën. Disa mijra familje mbetën të pastreha.

Në shenjë dhimbjeje e respekti për 51 qytetarët që humbën jetën nga tërmeti, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

Pushofshin në paqe!”, u shpreh Ruçi.

Më tej ai u shpreh se  tërmetit iu kundërpërgjigj një solidaritet i fuqishëm  njerëzor. Ruçi theksoi se Kuvendi inkurajon punën e Qeverisë për realizimin e objektivave të rindërtimit edhe në kushtet e kostove që imponoi pandemia.

Tërmetit të 26 nëntorit, kësaj goditjeje natyrore iu kundërpërgjigj një solidaritet i fuqishëm  njerëzor.

Qindra mijra qytetarë kontribuan me sa mundën për të lehtësuar barrën e përballimit të pasojave të tërmetit.

Sfida e qytetarëve po mund sfidën e natyrës.

Përgjigja e Qeverisëe institucioneve edhe solidariteti i qytetarëve shqiptarë inspiruan mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare.

Konferenca e donatorëve e shkurtit 2020, me moton “Bashkë për Shqipërinë”, mobilizoi  për rindërtimin një ndihmë jashtëçdo parashikimi: 1.15 miliardë Euro, prej të cilave 300 milion dhuratë.

Përpjekjet tona për rikthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre të rindërtuara apo të reja, nuk u  ndalën, nga pandemia e Covid-19, e cila shpërtheu në kulmin e rindërtimit.

Kuvendi inkurajon punën e Qeverisë për realizimin e objektivave të rindërtimit edhe në kushtet e kostove që imponoi pandemia.

Fuqia, shpresa dhebesimi janë më të mëdha se goditja e tërmetit e ankthi prej pandemisë.

Solidariteti e dashuria  njerëzore prodhojnë rezultate më të mira se ndarja e konfliktet”, tha ai.

Kujtojmë se në seancën e sotme plenare mungojnë kryeministri Edi Rama dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, pasi janë nisur në një vizitë urgjente në Dubai, të Emirateve të Bashkuara Arabe. g.v/abcnews.al