Situata në Santorini vazhdon të mbetet shumë shqetësuese. Autoritetet janë të angazhuar dhe janë në gatishmëri për çdo situatë, megjithatë kanë paralajmëruar banorët që t’i binden rregullave.
Eduardi shqiptari nga Greqia në një lidhje në emisionin “ABC e Mëngjesit” në ABC News ka treguar se fillimisht kanë qenë të shqetësuar dhe në panik. Edhe pse autoritetet në Greqi kanë njoftuar se kanë marrë të gjitha masat, megjithatë, situata mbetet shqetësuese, pasi vazhdimisht ka tërmete me magnituda të larta.
“Tërmetet janë në çdo 20 minuta, më herët nuk kanë qenë aq të shpeshta. Kemi qenë të frikësuar, dhe në panik. Por tani situata duket më e sigurt. Deri më tani nuk ka shembje apo dëme në ndërtesa. Njerëzit po kërkojnë që të ikin nga Ishulli, por për fat të keq nuk ka bileta. Është një ishull që ka shumë shqiptarë. Në Santorini jam me mamanë dhe me motrën”, tha gjatë intervistës shqiptari që jeton në Santorini.
Ekspertët janë shprehur se është ende e paqartë se si do të vijojë situata.
“Depozitimet që ka formuar vullkani, ka kraterin mëmë, dhe pjesa e brendshme që shohim dy ishuj të vegjël, aty ka qenë zemra e vullkanit. Tërmetet nuk parashikohen, nga eksperienca me tërmete të ngjashme, kur ka histori me një kohë të gjatë me magnituda të larta, më kujtohet rasti i Akulës që për tre muaj ka pasur tërmete më këto magnituda. Tendenca është nuk do të ketë atë maksimalen. Pra në rastin konkret këto magnituda na tregojnë që të jemi në alarm. Kjo energji që është çliruar deri tani janë gati 50 bomba atomike”, tha eksperti.
/abcnews.al/