Tërhiqet qeveria, fabrikat nuk taksohen për qumështin pluhur

schedule17:15 - 5 Nëntor, 2021

schedule 17:15 - 5 Nëntor, 2021

Nga Erblina Mile

Fabrikat e përpunimit të qumështit nuk do të taksohen për qumështin pluhur. Qeveria është tërhequr nga propozimi për taksimin prej 100 lekë për kg për qumështin pluhur. Ky vendim vjen pas kërkesave të industrisë së përpunimit të qumështit në vend. Ministria e Financave ka reflektuar ndryshimin në pikën 8 të nenit 4 të relacionit për “Taksat Kombëtare”  ku theksohet se përjashton nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksën për hirrë qumështi dhe taksën për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Ky vendim ligjëron faktin se fabrikat e prodhimit te qumështit në Shqipëri përdorin në masë qumështin pluhur pasi reagimi ishte i menjëhershëm në lidhje me këtë taksë. Në propozimin e parë qeveria theksonte se taksimi i qumështit pluhur u bë për të dekurajuar importin e qumështit pluhur dhe për të favorizuar prodhimin e qumështit nga fermerët.

Nga të dhënat në relacion rezulton se ka pësuar rënie sasia e qumështit të grumbulluar. Kështu, në vitin 2020, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 119 mijë ton nga rreth 140 ton që ishte në vitin 2019. Ndërkohë, vihet re një rritje në produktet që importohen për prodhimin e produkteve të bulmetit, ndër të cilët mjaft i rëndësishëm është qumështi pluhur. Kështu, sasia e importuar e këtij produkti për vitin 2020 ka qenë në masën mbi 1.400 ton/vit, sasi kjo rreth 2.5 herë më e lartë krahasuar me atë të vitit 2016 që ka qenë rreth 560 ton/vit./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!