Talibanët kanë marrë në kontroll 1/3 e rajoneve në Afganistan, pas tërheqjes së trupave të SHBA-së dhe NATO-s. Sipas zyrtarëve, qindra forca afgane të sigurisë janë larguar përtej kufirit verior me Taxhikistanin.
Që nga mesi i prillit, kur Presidenti i SHBA-së Joe Biden njoftoi fundin e luftës në Afganistan, talibanët kanë marrë zonat më të rëndësishme në pjesën veriore të vendit, një fortesë tradicionale e komandantëve aleatë të SHBA-së që ndihmuan në mposhtjen e tyre në 2001.
Por talibanët gjithashtu kanë paralajmëruar se ushtarët e huaj, të mbetur në Afganistan pas afatit të tërheqjes së NATO-s, do të jenë në rrezik. Rreth 1,000 trupa kryesisht amerikanë mund të mbeten në terren, pas afatit të tërheqjes më 11 shtator, për të mbrojtur misionet diplomatike dhe aeroportin ndërkombëtar të Kabulit.
Misioni ushtarak 20-vjeçar i NATO-s në Afganistan ka mbaruar, por dhuna në këtë vend vazhdon të rritet, me talibanët që vendosin kontroll në gjithnjë e më shumë territore.
Sipas një marrëveshjeje me grupin militant, të arritur në Doha, SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s kanë rënë dakord që t’i tërheqin të gjitha trupat, në këmbim të angazhimit të talibanëve për të mos lejuar Al Kaedën ose ndonjë grup tjetër ekstremist, të veprojë në zonat që ata kontrollojnë.
SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator të po atij viti. Derisa forcat afgane po përgatiten të marrin përsipër të gjitha përgjegjësitë, shqetësimet për të ardhmen e Kabulit janë në rritje.
Zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen, tha se kapja ushtarake e Kabulit nuk është “politikë e talibanëve”. Ai se asnjë forcë e huaj, përfshirë kontraktorët ushtarakë, nuk duhet të mbetet në Kabul, pasi të përfundojë tërheqja./abcnews.al