Tërheqja e qeverisë shqiptare nga dy projektligjet për birësimin e fëmijëve nga prindër homoseksualë është mirëpritur nga komuniteti fetar në Shqipëri.
Në lidhje më këtë, pastori Akil Pano pohon në “ABC Live” se jo çdo trend që aplikohet në botë do të thotë se është e drejtë dhe e pranueshme të adaptohet dhe në vendin tonë.
Pano thotë se interesi i fëmijëve është primar dhe prevalon nga interesat e çdo lloji grupi të shoqërisë, duke theksuar se fëmijët duhet të rriten në një nënë dhe një baba.
Megjithatë ai thotë se komuniteti fetar nuk synon diskriminimin e grupeve LGBTQ.
“Në jo vetëm që i duam njerëzit me orientim ndryshëm seksual, por jemi të interesuar që askush prej tyre mos të diskriminohet. Të jetojnë në një klimë paqeje, mos diskriminimi. Në botë është beteja midis konservatores dhe liberales. Sot shikojmë një projekt të ri mbi njeriun, familjen, jemi zgjatim të fenomeneve që ndodhin në botë. Por jo çdo gjë që ndodh në botë do të thotë që duhet ta aplikojmë dhe ne në vendin tonë. Njeriu pa gjini, pa identitet, këto janë planet globaliste.
Ne vumë re që këto 2 projektligje ishin brenda suazës të ndryshimeve të mëdha globale që vijnë prej prirjeve të majta në botë. Jemi të ndërgjegjshëm, është një luftë që nuk do të mbarojë asnjëherë.
A janë dashuria dhe dakordësia të mjaftueshme për të ndryshuar ligjet? Të gjitha konventa ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve cilësojnë se interesi i fëmijës prevalon në çdo kërkesë të grupeve të interesit. Interesi më i lartë i fëmijës është që të rritte nga një bab dhe një nënë, jo dy burra apo dy gra. Po i japim zë fëmijëve jetim, që nuk i dëgjohet zëri. Jo gjithçka që prezantohet si moderne është e pranueshme, ose duhet ta adoptojmë në Shqipëri.
Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ Qeveria tërhiqet nga projektligjet që lejonin LGBTI+ të birësonin fëmijë
Mendojmë për interesin e fëmijëve. Fëmijët përpara nesh. Jemi thirrrur të mendojmë përtej interesave tona”, u shpreh Akil Pano.
Ndërkohë kryetari i forumit mysliman, Fisnik Kruja, thotë se presioni i shoqërisë shqiptare çoi qeverinë në tërheqjen nga ligji për birësimet dhe kodin e familjes. Ai pohon se shoqëria shqiptare do të jetë gjithmonë nën presionin dhe ndikimin e ndërkombëtarëve.
“Fakti që qeveria u tërhoq ka vlerësimin tonë për arsye se të tërhiqesh nga një iniciativë qeveritare nuk është e lehtë. Por presioni i shoqërisë shqiptare e bëri të marrë këtë vendim qeverinë. Qeveria shqiptare do jetë gjithmonë e ndikuar nga faktori ndërkombëtar, që financon fuqishëm ato grupe që kanë propozuar atë ligj. Në do vazhdojmë përpjekjen tonë që ta ndalojmë, sepse kemi mbështetje të shoqërisë”, tha Kruja.
“Tërheqja e qeverisë nga ligji për birësimin ishte vendim i mençur”, kështu e cilëson pedagogu i filozofisë Edvin Kulluri, vendimin e qeverisë shqiptare.
“Vendimi për tu tërhequr ishte vendim i mençur. Nuk është vendim për të mbyllur rrugë por për të lënë diskutimin e hapur. Toleranca fetare është pasuri kombëtare në Shqipëri. Feja në disa raste është keqpërdorur nga njerëzit. Vendimi për tu tërhequr vendim i mençur. Aspektin njerëzor nuk mund ta shkelet me këmbë për hir të modernitetit, nuk duhet të kalojë në cënimin e çështjeve të padiskutueshme siç është jeta”, tha Edvin Kulluri.
Pak muaj më parë qeveria shqiptare riktheu për diskutim projektligjet për ndryshimin e kodit të familjes, kodit penal dhe ligjit të birësimit, kërkesë e cila vinte nga ana e përfaqësuesve të komunitetit LGBTI+, të cilët kërkonin që të përfitonin ligjërisht të drejtën e birësimit apo të regjistrimit të një fëmije.
Qeveria shqiptare është tërhequr nga të dyja projektligjit, çka do të sillte dhe ndryshimin e kodit penal por dhe të ligjit për birësimin e apo regjistrimin e fëmijëve nga ana e prindërve jo natyralë.
Projektligjet që ishin rikthyer për diskutim nga ana e qeverisë shqiptare pas një sërë kërkesash nga ana e komunitetit LGBTI+ priteshin të hynin në fuqi pas ndryshmeve që do të pësonin, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024.
Por pas presionit të vazhdueshëm të shoqërisë civile, komuniteteve fetare, qeveria shqiptare ka vendosur që të tërhiqet nga këto ndryshime si dhe nga dy projektligjet që do të sillnin ndryshime të mëdha në kodin e familjes por dhe në atë penal./abcnews.al/