Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, është fituesi më i fundit i “Tapirit të Artë”, një trofe që jepet nga emisioni italian “Striscia la Notizia”. Ai i jepet dikujt që ka qenë në siklet apo është mposhtur javën e fundit dhe arsyeja se pse e fitoi 39-vjeçari është sulmi që ai i bëri EA Sports për përdorimin e emrit të tij në videolojën e famshme, FIFA, pa miratimin e tij.
“Ata shfrytëzojnë imazhin tim pa më dhënë asgjë. Kjo është shkelje e hapur e rregullave. EA SPORTS pretendon të ketë blerë të drejtat nga FifPro dhe se FifPro përfaqëson lojtarët, por ne nuk kemi nënshkruar asgjë. Duhet të hedhim pak dritë mbi këtë”, deklaron suedezi.
“Ky është Tapiri i pestë për mua dhe tashmë që e mora jam edhe më i mirë. Do të shërohem më shpejt. Cassano ka marrë 15 nga këto dhe unë dua të kap rekordin e tij”, përfundon Ibrahimovic. Kujtojmë se në fillim të këtij sezoni, ky çmim iu dha edhe Andrea Pirlos, për fillimin jo të mirë që pati në stolin juventin. /abcnews.al