Një person është ndaluar nga policia dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi akuzohen se në bashkëpunim me dy persona të tjerë të ndaluar pak ditë më parë kanë tentuar të vjedhin një dyqan celularësh në Fier.
Ndërsa gjatë tentativës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ata janë përplasur fizikisht me një punonjës policie dhe kanë aksidentuar qëllimisht automjetin e tij.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim A. F., 32 vjeç, banues në Fier. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.01.2021, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vjedhje me dhunë e mbetur në tentativë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” të kryera në bashkëpunim.
32-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit E. G. dhe G. F., (të cilët janë ndaluar nga Policia në datë 24.01.2021) dhe shtetasin G. B., (i cili është shpallur në kërkim), në datë 17.01.2021 kanë tentuar të vjedhin me thyerje dyqanin e celularëve në pronësi të shtetasit R. C.
Gjatë tentativës për vjedhje, autorët janë pikasur nga një punonjës i policisë i cili ka ndërhyrë për të parandaluar vjedhjen duke u përplasur fizikisht me autorët, të cilët gjatë largimit kanë goditur me automjetin e tyre tip “Ford” mjetin privat të punonjësit të policisë. Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasit G. B., 33 vjeç, banues në Fier”, njofton policia./mv.abcnews.al