Tentuan të mashtrojnë, e pëson çifti indian në Rinas, shqiptarit i sekuestrohen bizhuteri

schedule13:33 - 29 Maj, 2022

schedule 13:33 - 29 Maj, 2022

Policia Kufitare ka shtuar masat në hyrje-daljet e vendit. Si rezultat i masave të shtuara, policia ka goditur 2 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara, si dhe 1 rast i mosdeklarimit të të hollave apo sendeve me vlerë, në kufi.

Gjatë kontrolleve, blutë kanë sekuestruar sende me vlerë të padeklaruara dhe dokumente të falsifikuara, si dhe kanë proceduar penalisht 3 poseduesit e tyre.

Njoftimi i plotë:

Policia Kufitare e Rinasit krahas përballimit me sukses të fluksit të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në hyrje-daljet e Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e lehtësirave ligjore për ta, me qëllim eleminimin e vonesave gjatë përpunimit të dokumentacionit, ka intensifikuar kontrollet në drejtim të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë.

Në këtë kuadër, gjatë përpunimit të dokumentacionit, në dalje, 2 shtetas indianë, M. P., 23 vjeç dhe P. P., 22 vjeçe (bashkëshortë), të cilët kishin për qëllim udhëtimin e tyre nga Shqipëria drejt Francës, kanë paraqitur, krahas pasaportave të tyre, edhe leje qëndrimi franceze. Pas verifikimit të këtyre dokumenteve ka rezultuar se lejet e qendrimit të paraqitura, ishin të falsifikuara.

Në përfundim të veprimeve, materialet proceduriale në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesore Tiranë, për vepren penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, po nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas është proceduar penalisht shtetasi H. P., 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose sendeve me vlerë”.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm të bagazheve, si dhe për kontroll fizik, 59-vjeçarin.

Gjatë kontrollit të bagazheve, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bizhuteri (unaza, varëse dhe sende të tjera) të padeklaruara në degën e Doganës Rinas.

Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me autoritetet doganore të Rinasit, do të vijojë kontrollet e imtësishme, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!