Policia e Tiranës nëpërmjet operacionit policor “Mozaiku” ka arrestuar ditën e djeshme një gardist, një punonjës banke dhe katër persona të tjerë pasi ky grup kishte tentuar të vidhnin një biznesmen në Tiranë.
Mësohet se grupi ishte në dijeni për banesën e biznesmenit dhe shumën cash të parave që ai posedonte dhe i mbante në banesë.
Siç raporton gazetarja Glidona Daci për abcnews.al grabitësit kanë mbyllur gojën përpara hetuesve dhe nuk kanë pranuar të flasin.
“Jam shumë i tronditur për momentin dhe do të jap deklarime në një moment tjetër” mësohet të ketë thënë një prej tyre përpara grupit hetimor.
Të arrestuarit siguronin informacion për lëvizjet e parave që bënte biznesmeni nga njëri prej anëtarëve të grupit të të arrestuarve i cili ishte punonjës në bankën ku biznesmeni depozitonte apo tërhiqte paratë.
Bëhet me dije se Andi Kraja, njëri prej të kapurve nga policia punon si agjent kredie në një prej bankave të nivelit të dytë në Tiranë, ndërsa Aleks Kala punonte në Gardën e Republikës.
Të arrestuarit e tjerë janë Petro Sava, Klaudio Metaj, Spartak Qoku dhe Emel Hajdaraj, ndërsa kujtojmë se më herët u arrestua edhe shoku i tyre Franci Alimi i cili kishte marrë pjesë në grabitjen e dështuar.
Alimi u kap nga policia pasi i vuri tritolin një lokali në Tiranë pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” duke shkaktuar dëme të mëdha materiale./abcnews.al