Një i ri në Mirditë është arrestuar pasi ka tentuar të kultivojë bimë narkotike. Mësohet se 21-vjeçari me iniciale F. P., u vu në pranga pasi u kap nga policia dërsa tentonte të kultivonte bimë kanabisi në vendin e quajtur “Përroi i Shlorit”, Sheshaj.
NJOFTIMI
“Vijon kontrolli masiv i territorit nga shërbimet e Policisë, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit.
Arrestohet në flagrancë 21-vjeçari. Shërbimet e Policisë Mirditë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit, në fshatin Sheshaj, Mirditë.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin F. P., 21 vjeç, banues në Tale, Lezhë. Arrestimi i tij u bë pasi është kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojë bimë narkotike cannabis sativa në vendin e quajtur “Përroi i Shlorit”, Sheshaj, Mirditë.
Nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike.” /abcnews.al/