Tensionet, Schmidt: Bosnja përbëhet nga entitetet, e tillë do të mbetet

schedule15:05 - 28 Tetor, 2021

schedule 15:05 - 28 Tetor, 2021

Bosnje e Hercegovina përbëhet nga entitetet dhe e tillë do të mbetet, sepse ato janë pjesë e integritetit territorial, të përshkruar me Marrëveshjen e Dejtonit, tha përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt.

Schmidt, i cili ka marrë detyrën në muajin gusht, iu drejtua të enjten për herë të parë Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnjës.

Ai tha se është e qartë se “askush nuk ka interes ta kthejë kohën pas” dhe se “komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë anash”.

Komentet vijnë pasi Republika Sërpska e Bosnjës – entitet i banuar me shumicë serbe – ka kërcënuar me ndarje.

Ky entitet, mes tjerash, ka sfiduar Kushtetutën e Bosnjës me miratimin e një ligji për produktet dhe pajisjet mjekësore.

Përfaqësuesit e tij kanë thënë po ashtu se serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit.

Përfaqësuesit e Republikës Sërpska nuk morën pjesë në seancën ku foli Schmidt.

Ata janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

Schmidt tha se qytetarët e Bosnjës meritojnë të ardhme paqësore dhe të begatë.

“Ajo që ata nuk meritojnë është frika. Atmosfera e frikës dhe e ndarjes vetëm se do ta përshpejtojë largimin e të rinjve”, tha Schmidt.

“Nuk kam mundur të pres në muajin gusht që Bosnja do të përballet me sfidën më serioze ndaj sovranitetit të saj”, tha ai.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!