Tensionet në veri, Daçiç: SHBA-ja e porositi Kurtin se duhet ta formojë Asociacionin

schedule12:22 - 1 Qershor, 2023

schedule 12:22 - 1 Qershor, 2023

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, në një intervistë të dhënë për mediat vendase thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë porositur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë më herët se si Kosova, ashtu edhe Serbia duhet t’i kryejnë të gjitha obligimet e marra gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Prishtina është mësuar të jetë e preferuara e Perëndimit dhe nuk është përballur me kërcënime deri më tani. Këtë që e kanë thënë amerikanët, nuk mund ta dëgjoni nga goja e evropianëve”, ka thënë Daçiç.

Sipas mediave serbe ai thekson se tensionet në veri të Kosovës janë shkaktuar nga “veprimet e njëanshme të autoriteteve në Prishtinë”.

Prandaj tani, në vend të normalizimit në Kosovë, kemi përshkallëzim të dhunës”, tha Daçiq.

Ndër të tjera në intervistën e tij ai u shpreh se zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë zgjidhje, por se tani “është më e rëndësishme të qetësohet situata”.

Daçiç tha se qëllim i Beogradit është që serbët t’i kenë të drejtat e tyre.

“Ne jemi të gatshëm ta mbrojmë popullin tonë, por shpresojmë se nuk do të ketë nevojë për këtë”, tha Daçiç.

Komuniteti ndërkombëtar diplomatik, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francës, si dhe vendet tjera të shteteve të QUINT-it, e kanë bërë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!