Tensionet në Lindjen e Mesme/ Çuko: Izraeli, goditje kirurgjikale Hezbollahut. Goxhaj: Vrasja e Nasrallah, gabim i iranianëve

schedule22:38 - 30 Shtator, 2024

schedule 22:38 - 30 Shtator, 2024

Koloneli Arben Çuko thotë se Izraeli ka kryer goditje “kirurgjikale” ndaj Hezbollahut, duke vrarë udhëheqësin dhe zyrtarë të grupit militant.

Në emisionin “360 gradë” në ABC News, Çuko u shpreh se ushtria izraelite ka pasur disa faza në luftën kundër Hezbollahut.

Ndërsa ish oficeri Dritan Goxhaj deklaroi se vrasja e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ishte gabim teknik i iranianëve.

Arben Çuko: Futja e reparteve të blinduara, para pak orësh, është pjesë e atij plani të madh operacional, për pushtimin e Libanit të jugut dhe nisi ekzekutimi me nxjerrjen jashtë luftimit, të para disa ditëve, të mijëra operativëve të Hezbollahut, me shpërthimin e pagerave. Kjo ishte faza e parë e këtij operacioni të ushtrisë izraelite. Në mendimin tim, ky është operacioni më brilant, për nga ideimi konceptimi, ekzekutimi i tij. Ata, me anë të metodave të tyre, pajisën të gjithë operativët e Hezbollahut, me pagerë. Ata janë të plagosur, nuk mund të jenë në frontin e luftës. Faza e dytë ishte vrasja e udhëheqësit. Futja e trupave të blinduara, është faza e radhës. Padyshim, prej kohësh, nuk është sot për sot. Në Liban, goditjet e para kanë qenë kirurgjikale. Kanë goditur pikat kyçe të komandim kontrollit të Hezbollahut.

Dritan Goxhaj: Nuk është se kemi të bëjmë me operacion të mirëfilltë spiunazhi. Faza e parë, goditja me anë të pagerave, nuk është se ka eliminuar, rrjetin ushtarak të Hezbollahut. Vrasja e Nasrallah, ka ndodhur për një gabim teknik të iranianëve, jo Hezbollahut. Atë ditë, nga Irani kanë ardhur dy gjeneralë. Këta dy persona kanë ardhur për të takuar Nasrallah. Këto dy persona kanë mbetur të vrarë. Duke mos e ditur saktë ku ndodhej bunkeri, kanë shuar një bllok, kanë përdorur 83 ton eksploziv për të vrarë Nasrallah. Pra, nuk është se ka depërtuar te Hezbollahu, është gabim i iranianëve. Janë ndjekur lëvizjet e këtyre gjeneralëve. Nasrallah ishte udhëheqës politik dhe ushtarak./abcnews.al