Kreu i PR-së Fatmir Mediu u shpreh se së bashku me një grup deputetësh kanë dorëzuar në Kuvend një projekt-rezolutë që shpreh shqetësimin për gjendjen e krijuar në Ballkan, nisur nga situata në Bosnje. Ai kërkoi që rezoluta të marrë miratimin edhe të shumicës qeverisëse.
“Kemi menduar të paraqesim në Kuvend një rezolutë të cilën do të diskutojmë me të gjitha partitë që të arrijmë në një rezolutë të plotë për të njësuar një qëndrim mbarë-shqiptar në raport me zhvillimet në Ballkan. Është një situatë shqetësuese.
Duhet të konsultohemi me partnerët. Rezoluta thekson se “Kuvendi është duke ndjekur tensionet me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme që janë të lidhura me Serbinë.
Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga PE, Republika Srpska për t’u shkëputur nga Bosnja, që çon në shembjen e marrëveshjes së Paqes së 1995, duke i parë të ndërlidhura narrativat e Vucic, kuvendi vendosi; si anëtare e përkohshme në dy vitet e ardhshme në OKB të përcaktojë objektivat për rajonin dhe Kosovën.
Të shtohet mbështetja për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Shpresoj dhe besoj se nuk jemi në prag lufte, por Shqipëria duhet të marrë hapat parandalues. Si vend anëtar në NATO, duhet ta shtrojmë në NATO” tha ai.
PROJEKT – REZOLUTA
Duke ndjekur me vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndëretnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të vet, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi.;
Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga Parlamenti Europian, Kongresi Amerikan, Parlamenti Britanik, nga disa qeveri të vendeve europiane dhe shumë analistë seriozë në Europë e në SHBA, shqetësim i mbështetur sidomos në përpjekjet e fundit të Republika Srbska, për t’u shkëputur nga BiH, gjë që po çon, sipas vlerësimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së në BiH, Christian Schmidt, në shembjen e marrëveshjes së paqes, nënshkruar në Dejton në vitin 1995, me ndërmjetësimin e SHBA;
Duke i parë të ndërlidhura narrativat destabilizuese të Presidentit Vucic dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit serb, me ndërhyrjet e hapura për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me tentativat e Republika Srbska për të krijuar ushtrinë e saj, jashtë kontrollit kushtetues të Sarajevës, deklarimet për shkëputje nga BiH, situatën e paqëndrueshme politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe me dislokimin e kohëve të fundit të ushtrisë serbe në kufi me Republikën e Kosovës, gjë që e shtyu Kryeministrin Kurti të paralajmëronte se rajoni po shkonte drejt një konflikti të armatosur;
Duke parë gjithashtu se kjo tablo shqetësuese është e ndërlidhur ngushtë me intensifikimin e shumëfishtë të pranisë Ruse në rajonin tonë, në zbatim të deklaratës së Presidentit Putin, se “Ballkani është një back yard i Rusisë”, gjë që në realitet po kryhet përmes mbështetjes ndaj Serisë, për t`a shndërruar atë në fuqi dominuese në Ballkanin Perëndimor, si rrugë për t`a rritur presionin mbi Uashingtonin dhe Brukselin;
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:
- Të ngarkojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë në NATO.
- Nëpërmjet delegacioneve të veta në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, t`a shpërndajë këtë rezolutë në këto asamble dhe t`a bëjë atë objekt debati atje, si dhe forumet e tjera ndërparlamentare.
- I kërkon qeverisë, si anëtare e përkohëshme për dy vitet e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, të përcaktojë qartësisht objektivat për rajonin dhe Kosovën.
- Të shtohet mbështetja për Integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, duke shpjeguar me theks të ri, se lënia e këtij shteti të ri jashtë, e ekspozon atë dhe rajonin me lehtësi përballë kërcënimeve ruso-serbe.
- Të organizojë një forum ndërparlamentar Shqipëri – Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni e Veriut, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare.
db/ Abcnews.al