Tenis/ “Gjigantët” mësojnë kundërshtarët, mësoni përballjet e para të turneut “Wimbledon”

schedule17:16 - 28 Qershor, 2024

schedule 17:16 - 28 Qershor, 2024

Teksa vetëm fundjava na ndan nga fillimi i Grand Slam-it të tretë të tenisit këtë sezoni, mesditën e kësaj të premteje është hedhur shorti i përballjeve të Wimbledon, me “gjigantët” e tenisit, Jannik Sinner, Carlos Alcaraz e Novak Djokovic, që kanë mësuar rivalët e tyre.

Fati nuk ishte me italinin, “numër 1” të botës, Jannik Sinner, i cili pavarësisht një nisje të lehtë në raundin e parë me Yannick Hanfmann, mund të gjejë në raundin e dytë bashkëkombësin e tij italian, Matteo Berrettini, me këtë të fundit, nga ana e tij do të sfidojë hungarezin Marton Fucsovics, i cili rezultatin më të mirë ka një çerekfinale të vitit 2021.

Tjetër gjë mund të thuhet për një emër të radhës favorit për këtë turne, Carlos Alcaraz. Spanjolli do të nisë rrugën e tij drejt finales ditën e hënë, ku do të përballet ndaj tenistit nga Estonia, Mark Lajal. Një ndeshje më se e kalueshme për 21-vjeçarin.

Ai që mund të quhet me shumë fat dhe me të cilin shorti u tregua bujar është Novak Djokovic. Serbi do të përballet me çekun Kopriva, i cili vjen nga kualifikueset. Në rast se për Djokovic çdo gjë shkon mirë në raundet e para, sfidën mbase më të vështirë mund ta ketë në çerekfinale, ku kandidat potencial për t’u përballur është polaku Hubert Hurkacz. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!