Tenis/ Befasohet Djokovic, numri 1 i botës eliminohet nga një 20-vjeçar

schedule08:32 - 12 Mars, 2024

schedule 08:32 - 12 Mars, 2024

Luca Nardi ka bërë mrekullinë në turneun ATP 1000 në Indian Wells. Italiani, numri 123 në botë në tenis, ka mposhtur numrin 1 të renditjes, serbin Novak Djokovic, në tre sete me rezultatin 6-4, 3-6, 6-3 dhe me këtë fitoi kalimin në fazën e 1/16 të turneut në Kaliforni.

Menjëherë pas fitores, italiani hodhi raketën në tokë dhe vendosi duart në fytyrë pasi nuk mund ta besonte këtë triumf magjik.

“Kjo është një mrekulli. Unë jam një djalë 20-vjeçar, në renditje të thellë botërore, dhe kam mundur Novak Djokovic, kjo është një çmenduri. Para kësaj sfide, askush nuk më njihte. Shpresoj që turma të ketë shijuar ndeshjen. Jam shumë i lumtur me këtë rezultat”, tha tenisti italian.

Djokovic ka komentuar gjithashtu këtë përballje, ku nuk i ka lënë pas lëvdatat për talentin italian.

“Nardi nuk kishte asgjë për të humbur. Ai bëri një lojë të shkëlqyeshme. Ai e meritonte të fitonte. Unë në fakt u befasova nga niveli im, nuk ishte ai që unë kam, isha shumë keq”, tha 36-vjeçari serb./h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!