Nga Ermal Vija
Pas 9 të arrestuarve për abuzimin me tenderin për blerjen e uniformave të policisë së shtetit, hetimet janë shtrirë edhe tek zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme. Burime nga Prokuroria e posaçme bëjnë me dije për ABC se hetuesit janë duke kryer të tjera verifikime, për të parë nëse ata kanë pasur ndikim në tenderin me vlerë miliona euro.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se, shkelja e parë e kryer nga zyrtaret e ministrisë së Brendshme është mënyra e ndjekur mbi procedurat e tenderit. Po kështu të arrestuarit, kanë bashkuar tre objekte të tenderimit në një të vetëm, duke favorizuar kështu mundësinë që një kompani të kualifikohej nëse kryente shërbime për të paktën tre zëra.
Sipas prokurorisë, zyrtarët e ministrisë kanë ndërhyrë edhe në zërat e tenderit në mënyrë që të përshtateshin me ofertën e kompanisë që e ka fituar tenderin. Pritet që ditën e hënë 9 të arrestuarit të dalin përballë gjykatës së posaçme, ku pritet të merren edhe në pyetje në lidhje me akuzën e “Shkelje së barazisë në tendera”. Sipas Prokurorisë të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar avantazhe në kualifikimin e operatorit fitues./ Abcnews.al