Temperaturat e larta po largojnë pushuesit, Mesdheu jo më një pikë turistike

schedule15:29 - 18 Korrik, 2023

schedule 15:29 - 18 Korrik, 2023

Për shkak të valëve të të nxehtit që kanë përfshirë shumicën e vendeve të Mesdheut, gazeta franceze “Liberation” thekson nevojën për t’iu përshtatur rritjes së vazhdueshme të temperaturave.

“Nëse duam që valët e të nxehtit të mos rrezikojnë shëndetin e personave me problematike, do të duhet të bëjmë një rishikim të plotë të organizimit të punës dhe zakoneve në një numër të madh vendesh”, thekson Liberation.

“Në Mesdhe, destinacioni më i mirë turistik në botë, ku pushimet janë në kulmin e tyre, çdo ditë duket më e nxehtë se e kaluara, ndërsa theksohet se në vende si Greqia, ku termometri i kalon 40 °C, ajri bëhet mbytës dhe dalja bëhet rraskapitëse, madje e rrezikshme”, thuhet në artikull.

Si rezultat i rritjes së ngrohjes globale, Mesdheu ka të ngjarë të bëhet më pak tërheqës për turizmin, paralajmëruan ekspertët ndërkombëtarë të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) në raportin e tyre të fundit, sipas gazetës franceze.

“Përveç aspektit kulturor, zona është e njohur edhe për temperaturat komode. Më shumë se gjysma e të gjithë turizmit është e përqendruar në brigje: gjithçka ka të bëjë me plazhet, diellin dhe detin.

Por këto rajone janë përballë ndryshimeve klimatike. Kjo mund të ndikojë negativisht në cilësinë e shërbimeve që u ofrohen udhëtarëve”, shpjegon për gazetën franceze Jeremy Foss, drejtor i Eco-Union, një qendër kërkimore dhe veprimi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe autor i një raporti të fundit mbi këtë temë, raporton abcnews.al.

Nga ana e tij, klimatologu Ëolfgang Kramer, autor i një raporti mbi ndryshimet klimatike në Mesdhe, shtoi se “në qytete si Athina dhe Roma, ndotja e ozonit përkeqësohet në periudha të temperaturave të larta dhe se deti Mesdhe po kalon një proces” “tropikalizimi”.

“Ka pyetje në lidhje me aftësinë e turizmit në formën e tij aktuale për t’i mbijetuar vapës,” tha Kramer, duke vënë në dukje se ulja e reshjeve në rajonin e Mesdheut ka të ngjarë të bëjë të vështirë aksesin e ujit në zonat turistike gjatë verës.

Për momentin, destinacionet turistike më të njohura nuk janë përshtatur me ndryshimet klimatike dhe parandalimi i rreziqeve shëndetësore që lidhen me rritjen e valëve të të nxehtit është ende në fillimet e tij.

Ndër zgjidhjet e propozuara nga shkencëtarët përballë këtyre kushteve të reja është përshtatja e periudhave të udhëtimit dhe destinacioneve me valët e të nxehtit. “Turistët do të preferojnë të shkojnë në zona të tjera sesa të vuajnë në bregdetin e Mesdheut.

Në korrik dhe gusht, preferencat e tyre do të ndryshojnë dhe do të shkojnë në bregdetin e Atlantikut, ku klima do të jetë mesdhetare pas njëzet apo tridhjetë vjetësh, ose në male”, thuhet në të.

Sa i përket Mesdheut, ai mund të jetë më popullor dhe më i aksesueshëm në pranverë dhe vjeshtë, përfundon artikulli i Liberation.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!