Temperaturat e larta dhe ekspozimi në diell, mjekët në spitalin Hygeia këshilla si të qëndrojmë të shëndetshëm

schedule19:00 - 8 Korrik, 2020

schedule 19:00 - 8 Korrik, 2020

Me ardhjen e stinës së verës shtohet ndjeshëm ekspozimi në diell, që shkakton edhe komplikacione shëndetësore.

Drejtori i Mjekësisë Interne dhe Urgjencës në Spitalin Hygeia, Dr. Arben Pilaca shprehet se goditja nga dielli është një problem që duhet marrë në konsideratë.

 “Është një term i njohur që krijon probleme jo të lehtë shëndetësore, dhe quhet goditja nga dielli. Është problem themelor të cilën e shohim në dy ekstremet e moshave, te fëmijët e vegjël dhe moshat e treta. Është një nga shqetësimet që kërkon asistencë mjekësore urgjente.

Ekspozimi për një kohë të gjatë ka impakt negativ edhe për personat me sëmundje kronike. Si rezultat i temperaturave të larta,  humbjes së lëngjeve apo djersitjes së madhe, krijohen disa çrregullime duke prishur ekuilibrin që kanë disa persona të sëmurë, me veshkat, diabet…” sqaroi mjeku.

Sipas mjekut, gjatë verës problemet e lëkurës apo pickimet nga insektet, ndeshen shpesh tek pacientët e grup moshave të ndryshme.

 “Njerëzit zakonisht në stinën e verës janë të ekspozuar me disa dëmtime të lëkurës, pickime, kafshime siç janë insektet apo gjarpërinjtë… Gjithashtu edhe gjatë lojërave të ndryshme mund të dëmtohesh duke krijuar probleme jo të vogla të plagëve, të sëmundjeve të lëkurës, pse jo edhe sëmundje që janë kërcënuese për jetën, nëse nuk merr ndihmën e parë. Një element tjetër janë helmimet ushqimore apo infeksione të ndryshme, u shpreh Pilaca.

Prof.Dr. Pilaca pranë Spitalit Hygeia jep disa këshilla se si të kujdesemi gjatë verës, ku ndër më të rëndësishmet mbeten reduktimi i ekspozimit në diell dhe konsumimi i sa më shumë lëngjeve.

 “Duhet të kenë kujdes dhe të mos ekspozohen sidomos në pikun e temperaturave të larta rreth orës 12:00 deri në orën 17:00. Një tjetër rekomandim është hidratimi sa më i mirë, qëndrimi në hije, përdorimi i veshjeve të bardha, mbajtja e kapelave, janë disa masa me impakt shumë të mirë në reduktimin e pasojave negative. Spitali Hygeia është i gatshëm siç ka qenë në çdo moment, për të dhënë konsulencën dhe ndihmën e parë”, tha ndër të tjera Pilaca. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!