Një miliard njerëz do të preken nga valët ekstreme të të nxehtit nëse temperaturat globale rriten me vetëm dy gradë, sipas një studimi nga Shërbimi Meteorologjik Britanik (Met Office) i publikuar në samitin e klimës Cop26.
Qëllimi kryesor i Cop26 është të kufizojë rritjen e temperaturës globale me 1.5 C, por delegacionet e vendeve deklaruan se nevojiten më shumë hapa për të përmbushur këtë qëllim. Nëse temperaturat rriten, trupi i njeriut nuk do të jetë në gjendje të ulë temperaturën e tij përmes djersitjes dhe madje edhe njerëzit e shëndetshëm në një vend me hije do të vdisnin brenda gjashtë orëve.
Nëse përpjekjet për të trajtuar krizën klimatike dështojnë dhe temperaturat rriten me 4 gradë, gjysma e popullsisë së botës do të ekspozohet ndaj nxehtësisë ekstreme. Rritja e temperaturave është pasoja më e dukshme e ngrohjes globale, ndërsa nxehtësia ekstreme në qytetet në mbarë botën është trefishuar në dekadat e fundit, sipas një studimi të fundit. Në verën e vitit 2020, më shumë se një e katërta e popullsisë së SHBA-së vuajti nga efektet e nxehtësisë ekstreme, me simptoma të tilla si të përziera dhe ngërçe, raporton abcnews.al
Të paktën 166,000 persona kanë vdekur nga valët e të nxehtit në mbarë botën në dy dekada, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Analiza e Met Office vjen nga hulumtimi i financuar nga BE për projektin Helix, i cili gjithashtu thekson rreziqet në rritje të vërshimeve të lumenjve, zjarreve në pyje, thatësirës dhe pasigurisë ushqimore.
“Parashikimi i frikshëm” për të ardhmen
“Secili nga efektet e ndryshimit të klimës është një parashikim i frikshëm për të ardhmen,” sipas Andy Wilshire nga Met Office. “Por, sigurisht, ndryshimet serioze klimatike do të kenë shumë pasoja dhe hartat tona tregojnë se disa zona do të ndikohen nga shumë faktorë”.
Vendet tropikale si Brazili, Etiopia dhe India janë më të goditurat nga temperaturat ekstreme. Por profesor Albert Klein Tank, kreu i Qendrës Hadley në Met Office, tha: “Këto harta identifikojnë zona në mbarë botën ku priten të ndodhin pasojat më të rënda. Megjithatë, të gjitha rajonet e botës – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Europën pritet të përballen me efektet e vazhdueshme të ndryshimeve klimatike, raporton abcnews.al
Shkencëtarët kanë paralajmëruar për nivele vdekjeprurëse të nxehtësisë dhe lagështisë për disa vite. Një studim i vitit 2015 tregon se Gjiri Persik, zemra e industrisë globale të naftës, pritet të goditet nga valët e të nxehtit duke rrezikuar mbijetesën e njerëzve. Vendi më i rrezikuar do të jetë fusha e Kinës veriore, një nga zonat më popullsi më të dendur në botë dhe zona më e rëndësishme e prodhimit të ushqimit në të gjithë vendin, sipas një sondazhi të vitit 2018.
/abcnews.al