Teliti: Qeveria nuk prek 150 milionë dollarët e oligarkëve, heq invesimet për shkollat dhe spitalet

schedule12:07 - 15 Janar, 2020

schedule 12:07 - 15 Janar, 2020

Partia Demokratike akuzon qeverinë se me buxhetin e ri, nuk prek 150 milionë dollarët e kompanive private për koncesionet, duke hequr investimet për shkolla dhe spitale.

Drejtori i Kabinetit në selinë blu, Dorian Teliti, në një deklaratë për mediat, tha se as tërmeti i 26 nëntorit nuk ka ndërgjegjësuar qeverinë për më shumë investime. Teliti thekson se në këo kushte duhen zgjedhje të parakohshme.

Deklarata e plotë:

Asgjë nuk ka ndryshuar nga sjellja e këtij kryeministri dhe e kësaj qeverie në raport me menaxhimin e parave publike.

Paratë e buxhetit të shtetit të planifikuara për koncensionet dhe oligarkët janë të paprekshme, askush nuk guxon t’i shkurtojë ato.

Janë plot  150 milion dollarë që janë parashikuar për PPP-të e miqve të qeverisë që nuk preken nga buxheti, pavarësisht situatës së emergjencës dhe nevojës për rimëkëmbje pas dëmeve të tërmetit, ku me mijëra qytetarë vazhdojnë të enden nëpër çadra dhe të pashpresë.

Edhe pas tërmetit, në planifikimin e ri buxhetor të kësaj qeverie, të vetmit që janë të paprekshëm, janë oligarkët e Ramës, ndërkohë që këtë vit është parashikuar të kryhen të paktën 30 milion dollarë shkurtime në sektorët kyç si shëndetësi, arsim apo edhe infrastrukturë, para’ këto që duheshin shfrytëzuar së paku për të rikuperuar dëmet e shkaktuara në shkolla e spitale në zonat e prekura nga tërmeti.

Qeveria e propagandës nga mëngjesi në mbrëmje, nuk do dhe nuk mund të prekë asnjë qindarkë të oligarkëve, pasi me koncensionet e ka të lidhur pazgjidhshmërisht veprimtarinë e saj korruptive dhe klienteliste.

Edi Rama dhe qeveria e tij kanë prioritet vetëm oligarkët e tyre, janë të kapur nga këto interesa të ngushta dhe asgjë tjetër nuk u intereson përveç faktit që ata të vazhdojnë të majmen e të mbeten të paprekur.

Qeveria në fuqi, ndonëse e dalë nga votat e blera, duhet të kuptonte njëherë e mirë që duhet t’u shërbente qytetarëve dhe vetëm qytetarëve, sidomos në këto javë e muaj të vështirë që po jetojmë.

Por jo, të paprekshmit mbeten të paprekshëm, të fortët mbeten të fortë, klientët mbeten klientë, oligarkët mbeten oligarkë, ndërkohë që me një të rënë të lapsit nuk ngurojnë të shkurtojnë fondet për sektorët prioritarë, e jo më të rrisin pagat, pensionet apo fondet për shtresat në nevojë.

Kjo është qeveria e PPP-ve.

Kjo është qeveria e luksit.

Kjo është qeveria e abuzimit me paratë e taksapaguesve.

Kjo është qeveria që nuk ka asnjë politikë ekonomiko – financiare që ndihmon zhvillimin e vendit, përkundrazi, çdo ditë e më shumë që janë në karriket e tyre vetëm rëndojnë e thellojnë krizën që ka kapluar vendin tonë.

Kjo duhet të marre fund sa më shpejt dhe fund do të marrë.

Me zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme, do t’i japim Shqiperisë qeverinë e përgjegjshme që meriton, ku e gjithë vëmendja do të rikthehet tek qytetarët, me politika lehtësuese fiskale dhe mbështetje buxhetore ndaj sektorëve prioritarë, me qëllimin e vetem, rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e mirëqënies së shqiptarëve.

/abcnews.al