Teleskopi Hapësinor “James Webb” goditet nga një meteor

schedule09:04 - 9 Qershor, 2022

schedule 09:04 - 9 Qershor, 2022

Një nga pasqyrat e teleskopit të madh hapësinor “James Webb” të NASA-s u godit nga një meteor i vogël, por ngjarja nuk pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm negativ në vëzhgimet e tij.

I nisur në fund të vitit 2021 dhe më i fuqishmi i dërguar ndonjëherë në hapësirë, teleskopi 10 miliardë dollarësh u hodh në orbitë në janar. Ai ndodhet 1.6 milionë kilometra nga Toka dhe pritet të jetë plotësisht funksional së shpejti.

Deri më sot, ai është në fazën e testimit të instrumenteve të tij shkencore, ndërsa përgatitet për fillimin zyrtar të funksionimit dhe marrjen e imazheve të para me ngjyra në korrik.

Sistemi diellor është plot me meteorë që udhëtojnë me shpejtësi shumë të mëdha.

Prandaj pritej që teleskopi të goditej dhe 18 pasqyrat e tij individuale të veshura me ar, ishin projektuar për t’i bërë ballë goditjeve të vogla.

Ai kishte marrë gjithsej katër goditje më të vogla që nga nisja e tij, megjithëse shkëmbi i vogël hapësinor që e goditi këtë herë, ishte më i madh se sa ishte testuar ose simuluar në tokë më parë.

NASA tha se “pas vlerësimeve fillestare, ekipi zbuloi se teleskopi ishte ende duke funksionuar në një nivel që tejkalonte të gjitha kërkesat e misionit.

Analiza dhe matjet e plota janë në vazhdim”.

Inxhinierët kanë nisur një rregullim delikat të pjesës së pasqyrës që është prekur, për të korrigjuar të paktën deri diku deformimin e shkaktuar nga goditja./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!