Marash Kumbulla mbetet në qendër të vëmendjes. Mbrojtësi qendror, i cili ka spikatur me Hellas Verona, mund të transferohet në verë tek Interi. Zikaltrit po tentojnë ta mbyllin marrëveshjen që tani. Klubi nga Milani, sipas asaj që raporton Gianluca Di Marzio, është një hap para rivalëve për lojtarin e kombëtares shqiptare.
Hellas Verona ia ka lënë derën hapur, teksa kërkon nga Interi që këtë muaj tek ata të kalojë mbrojtësi tjetër. Federico Dimarco. Mbrojtësi i majtë pëlqen nga klubi ku luajnë Kumbulla e Rrahmani dhe është çelësi i transferimit të 19-vjeçarit.
Sigurisht Hellas Verona pret të përfitojë ndjeshëm në aspektin financiar, pasi kartoni i Marash Kumbullës tani vlerësohet me rreth 15 milionë euro. Cilësitë e tij i ka treguar në Serie A dhe bëhet fjalë për një investim për të ardhmen, duke parë moshën e re të qendërmbrojtësit. /abcnews.al