Mediat amerikane raportojnë se një regjistrim audio i dëgjuar nga shefja e CIA-s konfirmon përfshirjen e drejtuesve të lartë sauditë në vrasjen e gazetarit Khashoggi. Sipas asaj që raportohet, një nga vrasësit është shprehur se operacioni është përmbushur me sukses dhe ka kërkuar që ky informacion t’i kalohet dhe një drejtuesi të lartë.
Disa moment pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, një anëtar i ekipit të ekzekutuesve ka telefonuar një superior duke i thënë: “Tregoja shefin tënd që operacioni u krye me sukses”. Pavarësisht se nuk është përmendur me emër, sipas raportimeve të Nju Jork Tajms, shefi në fjalë është princi trashëgimtar i kurorës Saudite, Mohammed bin Salman. Regjistrimi audio, i shpërndarë nga shërbimet turke të inteligjencës me drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, është prova thelbësore e përfshirjes direkte të tij në vrasjen e gazetarit. Ekspertët e inteligjencës e kanë cilësuar si “pistoletë tymuese”.
Ai që bëri telefonatën ishte Maher Abdulaziz Mutreb, një nga 15 sauditët e komandos të dërguar në konsullatën saudite në Stamboll me 2 tetor, funksionar i sigurisë i cili udhëtonte shpesh Princi Mohammed bin Salman, kanë bërë të ditur të paktën 3 persona për Nju Jork Tajms. Mutreb i ka thënë në mënyrë eksplicite se “operacioni ishte kryer me sukses”.
Arabia Saudite me anë të një komunikate ka mohuar që princi trashëgimtar i kurorës të jetë në dijeni të çfarëdo lloj informacioni sa i përket vrasjes së Khashoggi-t. Turqia, vijon shënimi, “I ka treguar regjistrimet audio shërbimit tonë të inteligjencës dhe për momentin nuk ka asnjë referim në frazat e përmendura”. Por Turqia posedon regjistrime të ndryshme. Telefonata është pjesë e një audioje të dëgjuar nga Haspel gjatë vizitës së saj në Ankara. Megjithatë nuk është lejuar që të marrë një kopje me vetë për në Shtetet e Bashkuara. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan njoftoi në fundjavë se ka ndarë regjistrimin audio me Arabinë Saudite, SHBA-të dhe aleatët e tjerë perëndimorë. /abcnews.al