Teknologjia e syrit bionik synon të ndihmojë të verbrit të shohin

schedule06:44 - 15 Shkurt, 2022

schedule 06:44 - 15 Shkurt, 2022

Njëherë e një kohë kishte disa dele të pazakonta australiane, me shikim jashtëzakonisht të mprehtë. Një tufë e vogël kaloi tre muaj vitin e kaluar me sy artificialë bionikë, të implantuar në mënyrë kirurgjikale pas retinës së tyre. Këto dele ishin pjesë e një sprove mjekësore që synon përfundimisht të ndihmojë njerëzit me disa lloje të verbërisë që të jenë në gjendje të shohin.

Qëllimi specifik i testit të deleve ishte të shihte nëse pajisja në fjalë, Phoenix 99, shkaktonte ndonjë reaksion fizik negativ por syri bionik ishte toleruar mirë nga kafshët. Si rezultat, tani është bërë një aplikim për të filluar testimin te pacientët njerëzorë. Projekti po kryhet nga një ekip studiuesish nga Universiteti i Sidneit dhe Universiteti i Uellsit të Ri Jugor raporton gazetari Bernd Debusmann Jr i “BBC-së”.

Phoenix 99 është i lidhur me valë me një kamerë të vogël të bashkangjitur në një palë syze, funksionon duke stimuluar retinën e përdoruesit. Retina është shtresa e qelizave të ndjeshme ndaj dritës në pjesën e pasme të syrit që konvertojnë dritën në mesazhe elektrike dhe dërgohen në tru përmes nervit optik dhe përpunohen në atë që shohim. Pajisja Phoenix 99 është në gjendje të anashkalojë qelizat e dëmtuara të retinës dhe të “tërheqi” ato që janë ende në gjendje të punojnë.

“Nuk pati reagime të papritura nga indet rreth pajisjes dhe ne presim që ajo të mund të qëndrojë në vend për shumë vite,” thotë Samuel Eggenberger, një inxhinier biomjekësor në Shkollën e Inxhinierisë Biomjekësore të Universitetit të Sidneit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të paktën 2.2 miliardë njerëz në mbarë botën vuajnë nga një formë e dëmtimit të shikimit, duke filluar nga një nivel i butë deri në verbëri totale. OBSH thotë se ndikimi financiar i kësaj, për sa i përket humbjes së produktivitetit është më shumë se 25 miliardë dollarë në vit për ekonominë globale. Përdorimi i sistemeve të syve bionik për të ndihmuar në trajtimin e verbërisë është një industri ende në fillimet e saj, por me zhvillimet teknologjike që përparojnë me shpejtësi, një raport pret që sektori të ketë vlerë 426 milionë dollarë deri në vitin 2028.

“Përparimet në teknologji kanë ripërcaktuar oftalmologjinë,” thotë profesoresha Diane Hilal-Campo, një okuliste me bazë në Nju Xhersi”. “Inovacionet jo vetëm që e kanë bërë diagnozën më të lehtë dhe më të saktë, por kanë transformuar kujdesin ndaj pacientit për mirë”. Si shembull, ajo tregon një sy bionik që tashmë i është vendosur më shumë se 350 njerëzve në mbarë botën i quajtur Argus II i prodhuar nga firma amerikane, Second Sight.

Kjo funksionon në të njëjtën mënyrë si Phoenix 99 dhe versioni fillestar i’u përshtat për herë të parë një pacienti që në vitin 2011. Second Sight po vazhdon tani punën për një produkt të ri të quajtur Orion. Ky është një implant truri dhe kompania thotë se synon që Orion të jetë në gjendje të trajtojë pothuajse të gjitha format e verbërisë së thellë. Projekti është ende në fazat e hershme klinike.

Sisteme të tjera bionike të syve përfshijnë pajisjen Prima, e cila është zhvilluar nga firma franceze Pixium Vision dhe Bionic Eye System nga një ekip tjetër australian i quajtur Bionic Vision Technologies. Profesoresha Hilal-Campo thotë se një problem aktual është kostoja e lartë e teknologjisë, e cila i bën ato “të arritshme për shumë pak njerëz. Argus II, për shembull kushton rreth 150,000 dollarë. Ajo shton se meqenëse teknologjia është ende në fillimet e saj, rezultatet nuk janë ende pothuajse të përsosura.

“Nuk kam asnjë dyshim se teknologjia ka transformuar jetën e pacientëve që kanë pasur fatin të marrin këto implante,” thotë profesoresha Hilal-Campo. “Aktualisht, megjithatë, teknologjia është e kufizuar, duke lejuar vetëm perceptimin e dritës dhe hijeve dhe në një farë mase format. “Megjithatë jam optimiste se në vitet e ardhshme, firmat bioteknike do të vazhdojnë të gjejnë mënyra të reja për të ndihmuar në rivendosjen e shikimit tek ata me humbje të shikimit”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!