“Teknika jonë luftarake në përdorim”, takimi i ministrit Balluku me homologun kinez në 1972

schedule08:08 - 29 Tetor, 2021

schedule 08:08 - 29 Tetor, 2021

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohen disa dokumente arkivore me siglën ‘Tepër sekret’ të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) ku ndodhen proces-verbalet e takimeve të delegacionit të lartë partiak e shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me delegacionin e lartë të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga kryetari i komisionit ushtarak pranë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Je Çen Ji, ku u diskutuan probleme të karakterit ushtarak, si dhe delegacioni i kryesuar nga ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, me delegacionin kinez të kryesuar nga kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Kinës, Çu En Lai, ku u diskutuan probleme të karakterit ekonomik, pasi Shqipëria kishte nevoje emergjente për drithëra buke, por qeveria kineze nuk mund t’i ndihmonte dot, pasi si rezultat i thatësirës, ata nuk kishin realizuar dot planet dhe po blinin grurin që francezët e kishin importuar nga amerikanët! Dokumentet e panjohura që publikohen për herë të parë me proces-verbalet e plota të dy takimeve të zhvilluar në Pekin më datën 7 nëntor të vitit 1972, ku nga ana e delegacionit ushtarak shqiptar të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku (ku merrnin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe shefat e llojeve të ndryshme të armëve të ushtrisë shqiptare), u kërkua që qeveria kineze të ndihmonte ushtrinë shqiptare, me armatime të të gjitha llojeve, duke filluar nga: armët e lehta të këmbësorisë (pushkë), artileri kundërajrore, tokësore dhe bregdetare, tanke, mjete të blinduar, anije, silurë për flotën luftarake detare, armë kimike, pajisje dhe material xheniere, ndërlidhje, radio-lokacioni, mjete autotransporti, avionë dhe helikopterë, uzina të industrisë mekanike për riparimin e tankeve dhe transportueseve të blinduar, municione luftarake dhe lëndë plasëse, material prapavije etj., pasi sipas ministrit Balluku, ushtria shqiptare ndodhej në një gjendje mjaft të vështirë nga ana e armatimeve, sepse ajo dispononte armatime të Luftës së Dytë Botërore, të cilat i kishin sjellë sovjetikët që në vitet ’50-të.

Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË

Marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Kinës

Përmbajtja: TAKIMI I PARË I DELEGACIONIT USHTARAK TË RPSH (TË KRYESUAR NGA BEQIR BALLUKU) ME SHOKËT KINEZË JEH ÇEN JI, LI TEN SHEN, DHE XAN CAJ ÇIEN, DATË 7 NËNTOR 1972. BËHET FJALË: MBI MIQËSINË E BASHKËPUNIMIN LUFTARAK MIDIS DY PARTIVE, POPUJVE, DHE USHTRIVE TONA. MBI POZICIONIN GJEOGRAFIK TË SHQIPËRISË KU KRYQËZOHEN INTERESAT E PAKTEVE AGRESIONE TË NATO DHE TRAKTATIT TË VARSHAVËS, QËLLIMET SHOVINISTE E ANEKSIONISTE TË SHTETEVE QË NA RRETHOJNË. MBI MASAT E MARRA NGA PPSH, PËR MBROJTJEN E VENDIT DHE PARAQITJEN E DISA KËRKESAVE PËR FORCIMIN E MBROJTJES.

TAKIMI I PARË PLENAR I DELEGACIONIT TONË ME SHOKËT KINEZË, DATË 7.11.1972

                                                  Vijon nga numri kaluar

Fjala e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, në takimin me delegacionin kinez në Pekin, 7 nëntor 1972

Aktualisht sistemi i zbulimit ajror siguron një koeficient të mbulimit reciprok të zonave të zbulimit 5-10 përqind për lartësitë e vogla dhe mesatare. Ndërsa me masat që ne parashikojmë të marrim, do të kemi një rritje 35-40 përqind. Në drejtimin e zbulimit detar, sot kemi një mbulim 15-20 përqind të brezit ujor ndërsa me masat që parashikohen për krijimin e PSV të reja, si dhe dublimin e atyre ekzistuese me nga dy r/lokator, do të kemi një rritje 40-50 përqind dhe një koeficient të mbulimit reciprok të zonave të zbulimit, 25-30 përqind.

Në drejtimin e përmirësimit të zbulimit, mundësive të drejtimit të avionit gjuajtës, artilerisë kundërajrore, artilerisë bregdetare, FLD, kërkohet sasia e mjeteve radio-lokative proporcionalisht me rritjen dhe hapjen e tyre, si dhe një sasi për kompletimin e organikave dhe zëvendësimin e teknikës së vjetër të prodhimit sovjetik.

Kjo teknikë, është në përdorim që nga viti 1955 e 1957 dhe përbën, 60 përqind të sasisë së përgjithshme nga e cila aktualisht 17 përqind është jashtë gatishmërisë, për arsye të konsumimit dhe mungesës së pjesëve të këmbimit. Për mbrojtjen kundër-kimike, auto traktorët, dhe topografinë, ne kemi mjaft mungesa e boshllëqe të cilat reflektohen në listë-kërkesat që do t’ju paraqiten.

Gjithashtu për përmirësimin e mëtejshëm të bazës materiale të edukimit të efektivëve të Forcave të Armatosura, e të propagandës, Drejtoria Politike e Ushtrisë sonë ka bërë disa parashikime, të cilat shoku Hito Çako do t’i konsultojë me shokët e caktuar nga Drejtoria e Përgjithshme Politike e ushtrisë suaj.

MBI INDUSTRINË MEKANIKE

Rritja e sasisë dhe e shumëllojshmërisë së armatimit dhe teknikës luftarake gjatë viteve 1961-1971, ka nxjerrë në pah mungesën e bazave të mirëmbajtjes, riparimit, dhe prodhimit, sidomos të veglave të këmbimit. Kjo rritje si dhe koha e gjatë e shfrytëzimit të tyre, ka krijuar një kontraditë të madhe ndërmjet gjendjes së armatimit e teknikës luftarake dhe sasisë e cilësisë së bazave të riparimit e mirëmbajtjes. Mirëmbajtja dhe riparimi i armatimit dhe i teknikës luftarake në përgjithësi është shumë larg kërkesave, jo vetëm në kuptimin tekniko-shkencor të çështjes, por edhe të atij ushtarako-ekonomik.

Por më shqetësues është fakti se ushtria nuk disponon baza për prodhimin e veglave të këmbimit. Kështu që sigurimi i tyre deri tani është bërë nga RP e Kinës në masën që ka qenë e mundshme për të duke i transportuar ato nga distanca e largët dhe me peshë e volum të konsiderueshëm. Amortizimi i teknikës dhe i armatimit si dhe mundësia e sigurimit në masën e nevojshme të pjesëve të këmbimit, dhe mungesa e bazave të riparimit e të mirëmbajtjes, kanë bërë që teknika e armatimi që disponojmë, të mos jetë në gatishmërinë e duhur teknike. Kështu që duke pasur parasysh faktorët e mësipërm mendojmë që këto probleme mund të zgjidhen:

  1. PRODHIMET
  2. Për prodhimin e veglave të këmbimit

Sigurimi i prodhimit të veglave të këmbimit në vend, është një problem me rëndësi të veçantë për ne e cila, lidhet direkt me përdorimin nacional e me rendiment të lartë të teknikës luftarake e të armatimit në fushën e luftimit. Prandaj, për të përmirësuar këtë gjendje mendojmë të ndërtohet një uzinë e cila, të sigurojë prodhimin e veglave të këmbimit kryesisht për mirëmbajtjen dhe riparimin e tankeve e të mjeteve me zinxhir. Si dhe duke e kompletuar këtë uzinë me pajisje atecaturë e dokumentacionin teknik të nevojshëm dhe për prodhimin e veglave të këmbimit për agregatet dhe autotraktorë dhe ndërtimin e një fonderie e cila të përballojë nevojat e veta dhe nevojat e tjera të ushtrisë.

  • Për prodhimin e baterive akumulatorë, dhe baterive të thata

Teknika luftarake, ka në përdorim një sasi shumë të madhe baterish akumulatorë, dhe të thata, të llojeve të ndryshme. Duke pasur për bazë sasinë dhe kohën e përdorimit të tyre, del e nevojshme që të ndërtohet një fabrikë për prodhimin e 10.000 ton bateri akumulatorë në vit. Për bateritë e thata, kemi një fabrikë me kapacitet 20.000 copë (1.800.000 elementë) në vit e cila, përballon 10 përqind të nevojave. Prandaj, është e nevojshme zgjerimi i mëtejshëm i saj me një ose dy fabrika të reja me proces teknologjik të modernizuar (mekanizuar).

  • Për prodhimin e lëndëve plasëse.

Siç dihet, në vendin tonë ekziston një uzinë ku prodhojmë rreth 3.000 ton amonite në vit, por lënda e parë (tritoli) sigurohet nga importi. Por, duke pasur parasysh që në Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, në të ardhmen do të prodhohet “toluolli” si lëndë bazë e tritolit, mendojmë që pranë uzinës ekzistuese në Elbasan, të ngrihet një linjë e re për prodhimin e tritolit me kapacitet vjetor 1.500 ton. Kjo masë, do të krijojë autonominë e plotë për prodhimin e amoniteve. Në këtë uzinë mendojmë gjithashtu që, të ndërtohet një linjë e re për prodhimin e dinamitit të tipit 5-G për plasje në vende me lagështirë dhe të nënujshme, me kapacitet 1.000 ton në vit.

PËR FUQIZIMIN E BAZËS SË RIPARIMIT DHE TË MIRËMBAJTJES SË TEKNIKËS LUFTARAKE DHE ARMATIMIT. 

  1.  Për tanket

Me ndihmën e R.P. të Kinës në vendin tonë, është ndërtuar një uzinë për riparimin e mesëm e kapital të 65 copë tankeve, dhe 10 copë tërheqësve me zinxhir në vit e cila, përballon 50 përqind të nevojave. Por, mbulimi i nevojave për riparim dhe mirëmbajtje të tankeve e të mjeteve me zinxhir, mendojmë të mos zgjidhet duke zgjeruar uzinën ekzistuese, por duke forcuar bazat e mirëmbajtjes e riparimit të njësive dhe reparteve të ushtrisë ku aktualisht, jemi të zbuluar.

  1. Për automjetet

Gjendja teknike e automjeteve, nuk është në lartësinë e duhur. Për automjete, kemi nevojë aktuale për 1.400 riparime kapitale e të mesme në vit, ndërsa uzina automobilistike ekzistuese e në mënyrë gjysmë artizane mund të kryejë rreth 500 copë riparime. Por më keq paraqitet gjendja e mirëmbajtjes dhe e riparimit në njësitë dhe repartet e ushtrisë. Për të përballuar këto nevoja, mendojmë të ecet në dy drejtime:

a) Të kryhet rikonstruksioni i uzinës ekzistuese.

b) Të forcohet baza e mirëmbajtjes dhe e riparimit të automjeteve, në njësitë dhe repartet e ushtrisë duke ngritur 10 ofiçina stacionare për të kryer riparimet e mesme dhe pjesërisht riparimet kapitale.

Gjithashtu, është shumë i nevojshëm kompletimi i njësive e reparteve me karro-ofiçina universale të lëvizshme.

  1. Për armatimin

Në bazë të gjendjes së sotme të armatimit e të ciklit të mbyllur 7-8 vjet, nevojat vjetore për riparim janë: Për topat 500 copë dhe për armët e këmbësorisë rreth 50.000 copë. Uzina ekzistuese në mënyrë artizane, kryejnë riparimin e mesëm dhe kapital të 10.000 copë armëve të këmbësorisë, dhe të 130 copë topave dhe sistemeve dhe kalibrave të ndryshëm. Pra, përballon vetëm 20-25 përqind të nevojave. Duke pasur parasysh se armatimi është masiv dhe shumë i shpërndarë, me qëllim që të rritet autonomia e riparimit në njësitë dhe repartet e ushtrisë, mendojmë që ky problem të zgjidhet në këtë mënyrë:

a) Të bëhet rikonstruksioni dhe kompletimi i uzinës ekzistuese, sidomos në riparimin instrumental dhe linjat e tjera të nevojshme për të kryer riparimin e 200-250 copë topave, ndërsa riparimi i armëve të këmbësorisë të ulet deri në 7.000 copë.

b) Të fuqizohen repartet e riparimit të armatimit në ofiçinat e korpuseve dhe të kompletohen ofiçinat e reparteve të ushtrisë, me komplete riparimi stacionare dhe të lëvizshme.

  1. Për flotën luftarak-detare

Siç dihet, për kryerjen e riparimeve të katerave silurues me ndihmën e R.P. të Kinës, është ndërtuar një bazë e mirë riparimi e pajisur me të gjitha repartet e nevojshme, por mbetemi të zbuluar për kryerjen e riparimeve të mesme e kapitale të anijeve mbiujëse e nënujëse. Gjendja teknike e anijeve tona, vjen vazhdimisht duke u përkeqësuar dhe shumica e tyre, nuk ka kaluar asnjë lloj riparimi që nga vitet 1953-1955. Kështu që del e nevojshme, rikonstruksioni dhe fuqizimi i bazës ekzistuese të riparimit, për të përballuar 2 copë riparime kapitale të anijeve mbiujëse dhe kjo të shërbejë si bazë për riparimin e nëndetëseve.

Për teknikën xheniere, agregatet, radiolokatorët, dhe mjetet e ndërlidhjes dhe kimisë.

Për riparimin e teknikës xheniere dhe agregateve, vitet e fundit krijuam një bazë të vogël. Por si kjo bazë, ashtu edhe ofiçinat ekzistuese të radiolokacionit, ndërlidhjes, dhe kimisë, janë shumë të varfra në makineri, pajisje, dhe aparatura të tjera. Këto ofiçina, kryejnë riparime të pjesshme në mënyrë artizane, e të një cilësie të dobët dhe nuk përballojnë as 30-50 përqind të nevojave tona. Pra është i nevojshëm rikonstruksioni i këtyre ofiçinave, duke i vendosur ato në baza të shëndosha teknologjike, nëpërmjet kompletimit të tyre me linjat, makineritë, aparaturën, dhe dokumentacionin teknik.

  1. Për raketat

Teknikës luftarake të raketave deri tani, jo vetëm që nuk i kryejmë dot asnjë lloj riparimi por edhe as shërbimet më të thjeshta. Mungesa e bazës së riparimit, vështirëson dita në ditë gjendjen teknike dhe dobëson gatishmërinë luftarake të këtyre armëve. Për të evituar këtë të metë dhe të papriturat që mund të vijnë prej saj, është e domosdoshme që të ngrihet një bazë riparimi. Këto janë disa nga problemet më kryesore për gjendjen e prodhimeve ushtarake, riparimit dhe mirëmbajtjes së teknikës luftarake e të armatimit, si dhe rrugët e fuqizimit të industrisë ushtarake në përgjithësi.

MATERIALE PRAPAVIJE

Siç e thamë dhe më lart, situata ndërkombëtare pozicioni gjeografik, dhe rrethimi i vendit tonë nga shtetet imperialisto-revizioniste, kërkojnë që ne të mbajmë në gatishmëri, një ushtri relativisht të madhe në raport me popullsinë tonë. Kjo ushtri që neve mbajmë dhe stërvitim është absolutisht e domosdoshme, sepse ka rreziqe serioze për vendin tonë nga armiqtë që na rrethojnë. Kjo konjekturë politike që ekziston sot, mund të prishet prandaj ne duhet ta kemi popullin e përgatitur e të armatosur për të përballuar armiq të rrezikshëm.

Dhe neve, kundër këtyre armiqve, do të luftojmë deri në fitore pa ripërtëritur rezervat materiale për shkak të largësisë që ndajnë dy vendet tona. Pra ekzistenca dhe organizimi ushtarak i vendit tonë, në këtë shkallë kërkon që të krijohen patjetër dhe rezerva materialesh të gjithanshme për një luftë të gjatë pasi, aktualisht dhe mobilizimi total i potencialit tonë ekonomik të vendit në situatë lufte, nuk do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat dhe kërkesat e luftës. Populli ynë, partia, dhe qeveria, kanë bërë dhe do bëjnë çdo sakrificë për mbajtjen e ushtrisë dhe për sigurimin e materialeve të saj. Memorie.al