Sondazh

Rama dhe Berisha në daljet vjetore, cili ju bindi më shumë:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Teherani kërcënon SHBA-në: Trump nuk mund të ndërhyjë në Iran! Protestuesit janë çështja jonë

schedule12:24 - 3 Janar, 2026

schedule 12:24 - 3 Janar, 2026

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e cilësoi  si “të pamatur dhe të rrezikshme” deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë nëse protestuesit paqësorë në Iran vriten.

Reagimi i Araghchi-t erdhi pasi Trump shkroi në rrjetet sociale se Uashingtoni “do t’u vijë në ndihmë” protestuesve që po marrin pjesë në demonstratat kundër gjendjes ekonomike në Iran, duke shtuar se SHBA-të janë “të gatshme dhe në pozicion veprimi”. Ministri iranian la të kuptohet se forcat e armatosura të Iranit janë në gatishmëri dhe “dinë saktësisht ku të godasin” në rast të një sulmi. Ai theksoi se Irani do të refuzojë me forcë çdo ndërhyrje në punët e tij të brendshme.

Sipas raportimeve, të paktën tetë persona kanë humbur jetën gjatë protestave njëjavore në disa qytete të vendit. Trump deklaroi të premten se “nëse Irani qëllon dhe vret në mënyrë të dhunshme protestuesit paqësorë, siç është zakoni i tyre, Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë”, pa sqaruar se çfarë veprimesh konkrete mund të ndërmerren.



Më herët, SHBA-të kanë kryer sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane, të cilat u pasuan nga një sulm hakmarrës iranian ndaj një baze amerikane në Katar.

Ndërkohë, një zëdhënës i policisë iraniane deklaroi se forcat e rendit nuk do të lejojnë që “armiqtë” të shndërrojnë trazirat në kaos. Protestat janë përhapur në disa qytete dhe qyteza, ku janë raportuar përplasje mes forcave të sigurisë dhe demonstruesve.

Protestat nisën në Teheran, pasi tregtarët u zemëruan nga rënia e mëtejshme e vlerës së monedhës kombëtare, rialit, kundrejt dollarit amerikan. Më pas, demonstratat u zgjeruan me përfshirjen e studentëve te universiteteve  dhe u shoqëruan me thirrje kundër udhëheqjes fetare të vendit.

Këto janë protestat më të medha ne Iran që nga kryengritja e vitit 2022, e nxitur nga vdekja në paraburgim e Mahsa Amini-t,  nje aktivisteje Iraniane qe u dhunua per vdekje per mosmmbajtjen sic duhet te shamise.

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se do të dëgjojë “kërkesat legjitime” të protestuesve, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm Mohammad Movahedi-Azad paralajmëroi se çdo përpjekje për destabilizim do të përballet me një “përgjigje vendimtare”. Ndërkohë, ambasadori i Iranit në OKB, Amir-Saeid Iravani, i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të dënojë deklaratat e Trump, duke paralajmëruar se SHBA-të do të mbajnë përgjegjësi të plotë për çdo përshkallëzim të situatës.  / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!