U prezantua këtë të mërkurë Platforma digjitale Kombëtare e Turizmit TEA, e kthyer tashmë në një udhërrëfyes jo vetëm të eventeve në destinacionet turistike të Shqipërisë, po edhe me shumë njësi shërbimin duke kryer detyrën e një sporteli digjital “one stop shop”, me qëllim lehtësimin e qëndrimin e çdo turisti dhe vizitori në vendet e tyre të pushimit.
Në fjalën e tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se Gjatë vitit 2023, numri i turistëve u rrit në 10.1 milionë, ndërsa të ardhurat e siguruara prej tyre arritën në 4.2 miliardë euro.
“Në fakt, referuar të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ishte vendi i katërt në botë për ritmin e rritjes së turizmit gjatë vitit 2023.
Ky ritëm rritjeje ka vijuar edhe gjatë muajve të parë të vitit 2024. Tashmë, të ardhurat nga turizmi janë rreth nivelit 20% të PBB-së” tha Sejko, ndërsa shtoi se niveli i sotëm i inflacionit që ka zbritur në 2.2% në muajin maj 2024.
Fjala e plotë:
Më vjen mirë që sot po hapim dyert për të mirëpritur një aktivitet kushtuar një motori të fuqishëm të vendit tonë, turizmit , dhe prej te cilit, të gjithë ne po shohim nje ndikim gjithmonë e më të madh në ekonomi.
Progresi i bërë në fushën e turizmit është i dukshëm. Gjatë vitit 2023, numri i turistëve u rrit në 10.1 milionë, ndërsa të ardhurat e siguruara prej tyre arritën në 4.2 miliardë euro. Në fakt, referuar të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ishte vendi i katërt në botë për ritmin e rritjes së turizmit gjatë vitit 2023. Ky ritëm rritjeje ka vijuar edhe gjatë muajve të parë të vitit 2024. Tashmë, të ardhurat nga turizmi janë rreth nivelit 20% të PBB-së, duke e shndërruar Shqipërinë në një nga destinacionet turistike më të preferuara në rajon, duke e renditur përkrah Kroacisë dhe Greqisë.
Zhvillimi i vrullshëm i këtij sektori ka sjellë një përmirësim cilësor të bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, duke u pasqyruar në përmirësimin e renditjes së rrezikut të borxhit sovran nga agjencitë e huaja gjatë vitit 2023, nga niveli B+ në nivelin BB- sipas Standard & Poor’s.
Nga ana tjetër, rritja e vizitorëve të huaj ka sjellë dhe përmirësimin e imazhit të vendit në sytë e investitorëve të huaj. Shqipëria po përjeton një interes në rritje për investime në sektorin e banesave rezidenciale gjatë viteve të fundit, dhe kryesisht në zonat bregdetare. Vetëm për vitin 2023, ky investim arriti në nivelin e 350 milionë eurove.
Të gjitha këto, kanë kontribuuar direkt në rritjen me 3.44% të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2023, në rënien e papunësisë në nivelet minimale historike, prej 10.7%, si dhe në rritjen me 14% të pagave në sektorin privat. Paralelisht me të, gjatë vitit të shkuar, Shqipëria shënoi dhe një rekord historik të investimeve të huaja direkte, në nivelin 1.5 miliardë euro, dhe një rritje me 11.3% të remitancave, duke arritur në nivelin 930 milionë euro.
Ndërkohë ne, si Bankë Qendrore, jemi kujdesur në vazhdimësi të ndjekim politika të kalibruara, në ruajtje të stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar, dëshmi e të cilave është niveli i sotëm i inflacionit që ka zbritur në 2.2% në muajin maj 2024.
Së fundi, më duhet të theksoj se edhe sektori bankar ka dhënë kontributin e vet në këtë drejtim, nëpërmjet rritjes së vëmendjes dhe të financimit për sektorin e turizmit, si dhe nëpërmjet digjitalizimit të vazhdueshëm të proceseve dhe produkteve të tij.
Reformat shumëdimensionale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë viteve të fundit me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, e veçanërisht ato për adresimin e kredive me probleme dhe për modernizimin e digjitalizimin e sistemit të pagesave, po japin frytet e tyre. Niveli i kredive me probleme, nga rreth 25% 10 vite më parë, sot luhatet rreth nivelit 4.7%, duke regjistruar edhe nivele minimale historike.
Reformat e përbashkëta kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në rritjen e formalizimit të ekonomisë. Sot, Shqipëria ka dalë nga lista “gri” e Komitetit të Moneyval, duke ilustruar jo vetëm progresin e bërë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, por edhe rritjen e besimit të partnerëve të huaj.
Pa dyshim, turizmi do të vijojë të jetë një pjesë integrale e rrugës së vendit drejt progresit. Në këto rrethana, zhvillimi i mjeteve të reja për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve turistike nga njëra anë dhe për të promovuar bizneset lokale, nga ana tjetër, është një domosdoshmëri. Këto qëllime i përmbush më së miri aplikacioni TEA. I thjeshtë në përdorim dhe i pasur në informacion, ai ndihmon turistët e vizitorët të kenë një eksperiencë më të plotë e të larmishme, ndërsa rrit vizibilitetin e bizneseve shqiptare.
Duke ju inkurajuar jo vetëm ta përdorni, por edhe ta promovoni këtë aplikacion, uroj që TEA t’ju shoqërojë në udhëtimet tuaja nëpër Shqipëri!