Të zhdukurit në komunizëm, vetëm Prokuroria e Fierit ka nisur punën, Ministria e Brendshme sqaron pozicionin

schedule20:20 - 27 Nëntor, 2021

schedule 20:20 - 27 Nëntor, 2021

Emisioni VETTING/ Nga Luljeta Progni

Një ndër palët në procesin e kërkimit të eshtrave të të zhdukurve me forcë në komunizëm është edhe Ministria e Brendshme. Pyetjes së “Vetting” për rolin e këtij institucioni në këtë proces, Ministria e Brendshme i përgjigjet si më poshtë:

“Ministria e Brendshme koordinon bashkëpunimin midis palëve për arritjen e qëllimit të marrëveshjes përfshi edhe strukturat e Policisë së Shtetit dhe pushtetin vendor që janë në fushën e saj të përgjegjësisë.

Me krijimin e Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish sigurimit te shtetit procesi i mbledhjes së të dhënave të domosdoshme po vijon sikurse edhe plotësimi e përditësimi i legjislacionit.  Ndërkohë Prokuroria e qarkut Fier ka marrë vendimin për të filluar punën në një nga pikat e  identifikuara si e mundshme për rikuperimin e trupave të personave të zhdukur në të kaluarën komuniste”.

Ministria e brendshme lajmëron kështu se  prokuroria e Fierit ka dhënë dakordësinë që të nisin zhvarrimet në Patos, aty ku dyshohet se janë varrosur disa të burgosur që ndërruan jetë gjatë kohës kur ishin të burgosur në kampin e  punës për ndërtimin e uzinës së Ballshit. Për aktorët kjo është një mundësi shumë e mirë që të krijohet precedenti për të vazhduar më pas në të gjithë vendet ku dyshohet se ndodhet varret e personave të zhdukur.

Por, rasti i Fierit mbetet i veçuar përsa kohë që  disa prokurori në rrethe pavarësisht kallëzimeve të familjarëve të të zhdukurve, kanë mbyllur hetimet me argumentin e krimit të parashkruar. Përfaqësuesi i Autoritetit të Dosjeve sqaron pse argumenti i Prokurorisë nuk  qëndron, kur refuzon rolin e saj në këtë çështje është i gabuar./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!