Të votosh në kohë pandemie, rregullat që duhet të ndiqni

schedule07:18 - 25 Prill, 2021

schedule 07:18 - 25 Prill, 2021

Shqipëria voton në kushte jo të zakonta, pasi vendi jonë ashtu si e gjithë bota prej më shumë se një viti po përballen ne COVID-19. 23625 qytetarë të infektuar me COVID-19 nuk do të kenë mundësi të votojnë, pasi do të duhet të respektojnë izolimin.

Koronavirusi ka ndikuar dhe ndryshuar jetën dhe zakonet e përditshme, ndërsa kushtëzon edhe mënyrën e votimit. Komiteti Teknik në bashkëpunim me KQZ hartuan dhe kanë publikuar rregullat që duhet të ndiqni për votimin në kohë pandemie.

Të gjithë anëtarët e KQV-së, çdo zgjedhës, vëzhgues i akredituar, punonjës i Policisë së Shtetit në detyrë, në mjedisin e QV-së:

-duhet të përdorin mjetet mbrojtëse për shëndetin, maskë higjienike, dezinfektues dhe
të respektojnë rregullat anti Covid.

– duhet të zbatojnë rregullat e higjienës dhe distancimit fizik në përputhje me rregullat
dhe protokollet e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Rregullat në qendrat e votimit:

-Salla duhet të ketë hyrje dhe dalje të veçantë për të mundësuar distancimin fizik të votuesve.

-Në hyrje te qendrave të votimit do të jenë të vendosura shenja dalluese për orientimin e votuesve lidhur me masat kundër COVID-19.

-Pranë hyrjes në sallën e votimit do të ketë shenja dalluese për të orientuar votuesit për të ruajtur distancën e nevojshme.

-Në hyrje të çdo qendre votimi do të vendosen dezinfektues për duart.

-Çdo votues ditën e diel duhet të jetë i pajisur me maskë. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët e komisioneve dhe për vëzhguesit e akredituar.

-Kutitë e votimit do të vendosen dy metra nga vendqëndrimi i anëtarëve të komisionit, po kështu dhe dhomat e fshehta.

-Mjediset e qendrave të votimit duhet detyrimisht të dezinfektohen një ditë para procesit të votimit dhe më pas në intervale të rregullta.

-Një person përgjegjës do të caktohet në hyrje të qendrave të votimit për të kontrolluar zbatimin e masave anti-COVID.

-Përpara futjes në qendrën e votimit anëtarët e KQV-ve dhe vëzhguesit duhet të deklarojnë se nuk kanë temperaturë ose shqetësime të tjera të lidhura me COVID-19 të bëjnë dezinfektimin dhe të kenë vendosur maskat.

– Anëtarët e KQV-ve dhe vëzhguesit duhet të ulen në vendet respektive duke ruajtur distancën fizike 1.5 metra nga njëri-tjetri.

-Në sallën e votimit nuk lejohet prania e më shumë votuesve se numri i dhomave të fshehta për votim, plus dy persona që regjistrohen.

-Dhomat e fshehta për votim duhet të ruajnë largësinë 1.5 metra nga njëra tjetra.

-Përpara qendrave të votimit nuk duhet të ketë grumbullime dhe mes votuesve që presin duhet të ketë një distancë fizike prej 1.5 metrash.

-Votuesi i cili përfundon procesin e votimit duhet të vijoj të mbajë një distancë prej 1.5 metra me votuesit që vijojnë procesin.

-Votuesi pas procesit të votimit dezinfekton duart.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!