“Të vërtetën s’keni për ta marrë vesh kurrë”, debati i plotë Basha-Noka për Berishën

schedule17:07 - 20 Shtator, 2021

schedule 17:07 - 20 Shtator, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Lulzim Basha thirri kryesinë e grupit të tij parlamentar mesditën e të hënës për të koordinuar aksionin e demokratëve në Kuvendi, por çështja “Berisha” dominoi në pjesën më të madhe mbledhjen me dyer të mbyllura që zgjati për më shumë se 2 orë e 30 minuta. Anëtari i kryesisë, Flamur Noka, i deklaruar në mbështetje të ish-kryeministrit Berisha pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar, i kërkoi shpjegime të detajuara kreut të demokratëve Basha.

Me atë vendim për të përjashtuar Sali Berishën ke shkatërruar Partinë Demokratike. I ke rrrokullisur demokratët nëpër hone pa kthim. Kur do t’i e dëgjon Amerikën ndërsa kur nuk do se dëgjon. A të thanë amerikanët mos i digj mandatet? Përse nuk i dëgjove? A të thanë mos bojkoto zgjedhjet vendore, përse se dëgjove?

A thanë ata që zgjedhjet janë të lira e të ndershme? Përse i dole kundër? Përse ishte vetëm ky rasti kur zgjodhe t’i dëgjosh? Si more ti një vendim që asgjëson PD-në. Kushdo që të kërkoi të bësh këtë gjë,do të duhej t’i thuhej se unë jam kryetari i kësaj partie dhe s’mund të marr vendim që asgjëson PD-në.

Sepse ti e di që mbi 80% e anëtarëve janë me të. Si mund te drejtosh PD-në kur ke anëtarësinë kundër? Si mund ti përfaqësosh anëtarët kur s’të duan ata? Mua më dhemb PD. Nese doni të shpëtoni PD-në vetëm anëtarësia duhet të vendosë dhe të gjithë palët ta respektojnë.

S’ka shpëtim tjetër Partia Demokratike. T’i qëndrosh këtij vendimi do të thotë t’i qëndron shkatërrimit të Partisë Demokratike. Të dëgjosh zërin e anëtarëve shpëton Partinë Demokratike” tha Flamur Noka.

Pas Flamur Nokës, ka qenë një pyetje e Agron Gjekmarkajt, që këtë të hënë u mandatua edhe si drejtues politik i Lezhës, për diskutim me strukturat të vendimit për Sali Berishën që nxiti kreun e demokratëve Basha për t’i dhënë edhe një përgjigje të prerë kërkesës së Berishës por edhe deklarimeve të Nokës.

Kam ndjekur debatet e ditëve të fundit, pas vendimit për doktor Berishën dhe më vjen keq që ta them më shumë kam dëgjuar gjysëm të vërteta. S’do ta gjeni kurrë të thënë nga goja ime që ai ka qenë vendimi i jetës sime, kam thënë që është vendimi më i vështirë që kam marrë. Dhe i tillë ka qenë dhe nuk ka kthim pas. Sali Berisha e ka deklaruar publikisht se nuk ka nevojë që askush prej nesh të jetë avokat i tij, pasi është përfshirë në një betejë personale.

Kërkesa për largimin e tij nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të dytë apo të tretë, por nga zyrtarët më të lartë amerikan. Për 3 muaj me radhë unë kam bërë gjithçka që të shmang sanksione të Berishës brenda kësaj partie dhe kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me të. Asnjë forum i partisë nuk kishte pse të mblidhej për Berishën sepse nuk e kemi përjashtuar nga asnjë strukturë e partisë, por është larguar përkohësisht nga grupi parlamentar.

Ndaj dua ta them qartë se asnjë forum i Partisë Demokratike nuk do të mblidhet për këtë çështje, as Kuvendi Kombëtar, për të treguar se jemi antiamerikan. Arsyet se përse u largua Berisha nga grupi parlamentar janë publike për aq sa mund të bëhen publike, detajet më të hollësishme i di edhe vetë Sali Berisha, për të cilat mbase publiku dhe ju nuk do të informoheni kurrë” tha Basha.

Debati në selinë blu vjen një ditë përpara se Sali Berisha të mbledh demokratët në qytetin e Fierit, në takimin e dytë me demokratët pas atij që zhvilloi pak ditë më parë në Tiranë./ Abcnews.al