Para 31 vjetëve, për herë të parë në historinë 46-vjeçare të komunizmit shqiptar, të rinjtë e “Qytetit Studenti”, në Tiranë, ngritën krye kundra regjimit. “Të themelohet një parti e dytë”, ishte lajtmotivi i studentëve në protestë, në 8 dhjetor të 1990-ës. Kjo është fjalia që ndezi shkrimin tim sot.
Mbrëmë, teksa kujtoja me prindërit për 8 dhjetorin e ´90-ës, im atë rrëfente se, atë mbrëmje, ka qenë me disa kolegë dhe miq të tij të ngushtë, mjekë, në “Qytetin Studenti”, kurse ime më, nxitonte për atje, që nga Kombinati i Tekstileve. Për dreq, ato ditë, tregon ime më, nuk punonte asnjë linjë urbani.
Të gjitha reagimet që nisën që në fillim të janarit të 1990-ës, ishin pjesë e një klime ndryshimi. 8 dhjetori i 1990-ës ishte një përmbledhje e gjithçkaje që kishte ndodhur në fillim të atij viti dhe të atyre 46 viteve.
Duke shkuar pas në kohë dhe duke parë pamjet filmike të asaj dite, pyetja që më mundon është: A ia dolëm ne, në këto 31 vite pluralizëm që pasuan, t’i kthenim lirinë vetes, zërin shqiptarëve, për të vepruar dhe menduar pa qenë nën presionin e askujt, pa qenë të burgosur, por duke patur forcën, për të vendosur dhe realizuar vetveten dhe të ardhmen tonë?
Shpresë se Shqipëria do të mund të jetë tashmë një vend i lirë, nga gjithë presionet, shtypjet, manipulimet, familjet e ndara, të vrara, të kërcënuara apo jetë, kohë, ëndrra të çuara dëm, nën atë sistem rraskapitës të njeriut, të shpresës.
Të vrarë jo vetëm fizikisht, por shpirtërisht të copëtuar, të prekur në ADN dhe sërish gjetëm forcën për t´u ringjallur dhe jetuar.
Ka qenë e vështirë për shqiptarët pas 46 vitesh të shtypur, pre e një regjimi diktatorial, ç’njerëzor, të mposhtnin frikën e një diktature gjysmëshekullore, të arrinin atë madhështi të atij dhjetori të ftohtë, por me shpresë të madhe për ndryshim. Të gjitha lëvizjet sigurisht që nisin nën emrin e krizave të mëdha ekonomike dhe varfërisë, që ishte emblemë e çdo familje shqiptare.
E kam të vështirë të besoj se kemi shkelur mbi besimin e të gjithë studentëve të ngritur atij dhjetori të 90-ës.
E kemi shkelur apo vijojmë me atë trashëgimi?
A arritëm në këto 31 vite të çonim demokracinë, dinjitetin dhe drejtësinë në vend, është pyetja që më mundon.
Eksodi i madh i shqiptarëve në 2 Korrik të vitit 1990-të është një nga ngjarjet më të trishtuara që ndodhi po atë vit.
Dhemb të kthehesh prapa në kohë dhe akoma më shumë ta përjetosh.
Të vrarë për të kaluarën, por të mbushur me shpresë për të ardhmen, u larguan me kokën prapa, me dëshirën për t´u rikthyer, jo më të varfër një ditë, por për të qënë Zot në vendin e tyre.
E kishim amanet nga mijëra shqiptarë që janë pushkatuar pa të drejtën e zërit, që do i sillnim lirinë Shqipërisë.
A ia arritëm në këto 31 vite të ishim fitimtarë me lirinë, fitimtarë me krejt veten tonë?!
Druaj se kemi bërë shumë pak për Shqipërinë, që na e lanë amanet, ata të cilëve iu mohua fjala, uni, zëri, jeta, të qenit njeri.
“Liria nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësit, ajo duhet të kërkohet nga të shtypurit”, do thoshte Martin Luther King.