Komisioni Qendror i Çështjeve Politike dhe Ligjore të Partisë Komuniste Kineze ka bërë një postim aspak të hijshëm në rrjete sociale. Ata kanë postuar në Twitter një foto ku tallen me vdekjet nga koronavirusi në Indi.
Postimi që u fshi shumë shpejt ishte një foto që krahasonte zjarret në dy vende. Në njërën anë fotoja tregonte zjarrin e një rakete të lëshuar nga Kina dhe në anën tjetër zjarrin ku po digjen trupat e pajetë në Indi.
“Dallimi mes një zjarri në Kinë dhe një zjarri në Indi”, ishte shkruar në postim.
Pas publikimit të kësaj fotoje reagimet qenë të madha dhe postimi në faqen me miliona ndjekës të organit më të lartë të zbatimit të ligjit në Kinë, u fshi.
Aktualisht, India po përjeton një valë të dytë shkatërruese të koronavirusit, që ka sjellë infeksione dhe vdekje rekord. Në spitale mungon oksigjeni ndërsa shtretër të lirë nuk ka asnjë.
Viktimat ditore në Indi të dielën arritën kulmin në 3,689 që nga fillimi i pandemisë./abcnews.al