Një ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur Kryesinë, e cila është shoqëruar me debate. Ish-deputeti Arben Imami e ka braktisur mbledhjen pasi sipas tij, ajo po zhvillohet në kundërshtim me rregulloren. Në një prononcim për gazetarët Arben Imami ka deklaruar se Lulzim Basha po shkel statutin dhe nuk respekton asnjë normë.
Partia Demokratike pritet të mbledhë ditën e shtunë Kuvendin Kombëtar për të përmbyllur procesin e riorganizimit të saj përmes zgjedhjes së Këshillit të Ri të partisë. 7 mijë delegatë demokratë që përbëjnë Kuvendin e kësaj force politike do të votojnë antarësinë e re të këshillit, i cili më pas do të zgjedhë numrin dy të demokratëve, sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët e Partisë, sekretarët funksionalë, anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së PD-së, dhe komisionin e apelimit dhe kryetarin e bordit financiar të partisë. Këshilli Kombëtar do të zgjedhë për herë të parë edhe një kryetar të tij, kjo pas ndryshimeve në statut të miratuara nga Kuvendi i demokratëve në muajin prill të këtij viti.
Menjëherë pas kësaj procedure do të nisë edhe ngritja e shtabeve elektorale për përgatitjet për zgjedhjet lokale 2019, si ka deklaruar edhe vetë kreu i PD-së Lulzim Basha./abcnews.al