Të shtëna paralajmëruese nga rusët ndaj luftanijes në Detin e Zi? Reagon Britania e Madhe

schedule21:36 - 23 Qershor, 2021

schedule 21:36 - 23 Qershor, 2021

Rusia tha se një nga anijet e saj luftarake në Detin e Zi qëlloi me të shtëna paralajmëruese dhe një aeroplan luftarak hodhi bomba të mërkurën për të detyruar largimin e një destrojeri britanik nga një zonë afër Krimesë që Moska pretendon se është territor i saj, por Britania i mohoi këto pretendime dhe këmbëngul se nuk ka patur të shtëna ndaj anijes së saj.

Kjo është hera e parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë që Moska thotë se ka përdorur municion real për të parandaluar një anije luftarake të NATO-s, duke reflektuar rrezikun në rritje të incidenteve ushtarake mes tensioneve në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një anije patrullimi qëlloi me të shtëna paralajmëruese pasi destrojeri britanik “HMS Defender” kishte injoruar një paralajmërim dhe lundroi 3 kilometra në brendësi të ujërave territoriale të Rusisë pranë portit të Sevastopolit, baza kryesore detare ruse në Krime. Ai tha se një bombardues rus Su-24 gjithashtu hodhi katër bomba përpara anijes për ta detyruar të ndryshonte kursin. Disa minuta më pas, destrojeri britanik u largua nga ujërat ruse, thuhet në njoftimin e ministrisë ruse të mbrojtjes.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova denoncoi “provokimin e hapur britanik që sfidon ligjin ndërkombëtar” dhe tha se Moska kishte thirrur ambasadorin britanik. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se thirri gjithashtu atasheun ushtarak të Britanisë së Madhe në Moskë për të protestuar ndaj “lëvizjes së rrezikshme” të destrojerit dhe u kërkoi autoriteteve britanike të hetojnë veprimet e ekuipazhit të anijes së tyre.

Ministria britanike e Mbrojtjes mohoi akuzat se ndaj destrojerit të saj ka patur të shtëna dhe se ai ishte në ujërat ruse, duke thënë se anija e tyre po lundronte në ujërat ukrainase.

“Nuk ka pasur asnjë të shtënë paralajmëruese në drejtim të (destrojerit) HMS Defender”, thuhet në deklaratën e ministrisë britanike të mbrojtjes. “Anija e Marinës Mbretërore po bënte një kalim të rregullt përmes ujërave territoriale të Ukrainës në përputhje me ligjin ndërkombëtar.”

Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë në 2014, një veprim që nuk njihet nga shumica e vendeve të botës, duke përfituar dalje në vijën e gjatë bregdetare në Detin e Zi. Rusia i ka gjurmuar anijet luftarake të NATO-s që lundrojnë afër Krimesë, duke i konsideruar veprimet e tyre si destabilizuese. Në prill, ajo shpalli si zonë të mbyllur për mjetet e huaja lundruese një shtrirje më të gjerë përreth bregut të Krimesë.

“Ne besojmë se rusët po bënin një manovër me armë zjarri në Detin e Zi dhe i dhanë komunitetit detar paralajmërimin paraprak për aktivitetin e tyre”, tha Ministria Britanike e Mbrojtjes. “Asnjë e shtënë nuk ishte drejtuar ndaj destrojerit “HMS Defender” dhe ne nuk e njohim pretendimin se janë hedhur bomba në rrugën e tij.”

Sekretari Britanik i Mbrojtjes Ben Wallace tha se destrojeri “kreu një tranzit rutinë nga Odesa drejt Gjeorgjisë përmes Detit të Zi”.

“Siç është normale për këtë rrugë, ai hyri në një korridor të njohur ndërkombëtarisht, të veçuar për trafikun detar”, shkroi ai në Twitter, duke shtuar se “HMS Defender” doli nga korridori në mënyrë të sigurt në orën 9:45 të mëngjesit sipas kohës lokale në Britani.

“Siç është rutinë, anijet ruse e shoqëruan atë gjatë kalimit të tij dhe destrojeri u informua për manovrat ushtarake në afërsi të tij”, shtoi ai.

Duke folur para komisionit të mbrojtjes të Parlamentit britanik, Wallace përsëri mohoi versionin rus të ngjarjeve.

“Këto janë gjëra që shkojnë e vijnë me Rusinë”, tha ai. “Dezinformimi është diçka që ne e shohim rregullisht. Nuk na befason; ne kemi plane për këto gjëra”, tha ministri britanik.

I pyetur nëse ekuipazhi i destrojerit “HMS Defender” kishte parë apo dëgjuar ndonjë gjë, ai tha se “sipas raporteve fillestare ata dëgjuan ose vëzhguan zhurma të manovrës diku në pjesën e prapme të saj, por përtej rrezes vizuale”.

“Ne i pamë raportet në mëngjes”, tha zëdhënësi i Kryeministrit Boris Johnson, Max Blain. “Nuk janë të sakta raportet që thonë se ka patur të shtëna në drejtim të luftëanijes ose se ajo ishte në ujërat ruse. “HMS Defender” po përshkonte rrugën më të drejtpërdrejtë ujore dhe të njohur ndërkombëtarisht midis Ukrainës dhe Gjeorgjisë”, shtoi ai.

Ai theksoi se Britania dhe pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha se kjo ishte një “dëshmi e qartë që mbështet qëndrimin e Ukrainës se veprimet agresive dhe provokuese të Rusisë në Detin e Zi dhe Detin Azov, pushtimi dhe militarizimi i Krimesë paraqesin një kërcënim afatgjatë për Ukrainën dhe aleatët”.

“Ne kemi nevojë për një bashkëpunim të ri cilësor midis Ukrainës dhe aleatëve të NATO-s në Detin e Zi”, shkroi ministri Kuleba në Twitter.

Pak para incidentit të së mërkurës, destrojeri “HMS Defender” ndaloi në portin ukrainas të Odesës, ku zyrtarët ukrainas dhe britanikë dhe përfaqësuesit e industrisë detare nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për rritjen e aftësive detare të Ukrainës.

Anëtarët e NATO-s, Turqia, Rumania dhe Bullgaria kanë dalje në Detin e Zi. Anijet luftarake nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe aleatët e tjerë të NATO-s gjithashtu kanë bërë vizita gjithnjë e më të shpeshta në mbështetje të Ukrainës. Vizitat e tyre janë kritikuar shpesh nga zyrtarët rusë. /Voa/