Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Të shtëna me armë në një shkollë në SHBA, humb jetën një person plagoset një polic

schedule07:24 - 13 Prill, 2021

schedule 07:24 - 13 Prill, 2021

Një person ka mbetur i vdekur në një shkollë të mesme në Noksvill të shtetit Tenesi pas një incidenti me armë zjarri që la të plagosur edhe një polic, kur forcat e rendit reaguan për të vënë nën kontroll situatën.

Incidenti që u regjistrua pas orës 15 në shkollën Austin-East të hënën, ishte episodi më i fundit në një seri masakrash me armë zjarri që janë regjistruar në SHBA gjatë javëve të fundit.

Policia e Noksvillit njoftoi se mjekët thonë se polici i plagosur pritet të mbijetojë.



“Ai është i vetëdijshëm dhe me humor të mirë. E falenderova që kishte vënë jetën në rrezik për të mbrojtur nxënësit dhe personelin e shkollës. Më tha se më mirë të lëndohet ai se të tjerë,” tha për kanalin CBS News kryebashkiakja e Noksvillit, Indya Kincannon.

Hetuesit nuk kanë bërë publik identitetin e të dyshuarit apo të viktimës që humbi jetën, por thanë se të dy ishin meshkuj. Nuk është e qartë nëse viktima ishte nxënës i shkollës.

“Bazuar në hetimet paraprake, Departamenti Policor i Noksvillit shkoi në shkollën e mesme Austin-East pasi mori njoftimin se një i dyshuar mashkull ishte i armatosur në mjediset e shkollës,” tha departamenti policor përmes një postimi në Facebook.

“Kur policët iu afruan të dyshuarit, pati shkëmbim zjarri. Një polic u qëllua të paktën me një plumb dhe u dërgua në qendrën mjekësore të Universitetit Tenesi me plagë që nuk mendohet se përbëjnë rrezik për jetën. Një mashkull u deklarua i vdekur në skenën e ngjarjes, ndërsa një tjetër është ndaluar ndërsa vazhdojnë hetimet”.

Fillimisht policia kishte njoftuar se kishte “disa viktima” nga sulmi.

“Ndërtesa e shkollës është nën kontrollin e autoriteteve dhe nxënësit që nuk ishin të përfshirë në këtë incident janë kthyer pranë familjeve,” tha shefi i departamentit të arsimit për qytetin Noksvill, Bob Thomas.

Policia kishte caktuar në fushën e bejsbollit të shkollës një pikë takimi për prindërit dhe nxënësit që dilnin nga shkolla.

Në incidente të tjera javët e fundit, një person mbeti i vrarë dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një fabrikë mobiljesh në Teksas kur një individ i armatosur filloi të qëllonte para se të arrestohej.

Ndër raste të tjera të vrasjeve në masë: tetë vetë mbetën të vrarë në një sallon masazhesh në Atlanta të Xhorxhias; 10 vetë gjetën vdekjen në një dyqan ushqimesh në Boulder të Kolorados; katër vetë, ndër ta një djalë 9-vjeçar, humbën jetën kur një individ i armatosur hapi zjarr në një zyrë të shitjes së pasurive të patundshme në Orinxh të Kalifornisë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!