Të rrish apo të ikësh? Debat në “Bardh a Zi”, Arbis Vjerdha: Ishim më mirë në kohën e xhaxhit

schedule21:23 - 27 Nëntor, 2020

schedule 21:23 - 27 Nëntor, 2020

Të rrish apo të ikësh nga Shqipëria? Kjo ishte tema e emisionit “Bardh a Zi”që filloi mbrëmjen e sotme në “ABC” dhe që do të transmetohet cdo të premte në orën 20:00. Mesila Doda fajin e shpopullimit e shikon te qeveria aktuale, pandëshkueshmëria në vite dhe mungesa e meritokracisë.

Shqipëria po kthehet në një fjetore të madhe. Juridikisht ti nuk do të jesh qytetar i dorës së parë jashtë, si në Shqipëri. Duhet të presësh të paktën 10 vite që të kesh të drejtën të votosh, të marrësh shtetësinë. Që këtu nis një moment. Një nga problemet e mëdha në Shqipëri është çështja e meritokracisë. Sot për të paguar një pension duhet të punojnë tre, jemi në limite të falimentimit të skemës së pensioneve. Unë isha brezi i parë që bëra shkollën jashtë, nuk jam bërë pishman që jam kthyer. Kam bërë karrierën time, që ka qenë shumë e bukur, me gjitha përplasjet. 

Ne dorëzohemi shumë shpejt përballë së keqes. Hajde të reagojmë edhe ne njëherë dhe të shikojmë më pas politikanët. Sëmundja më e madhe në këtë vend është mungesa e ndëshkueshmërisë. Ndryshimi do të vijë me kalimin e gjeneratave. Unë besoj se gjenerata që po vjen është më e mirë sesa ne edhe pse ka gjithë eksperiencën tonë dhe kupton se cfarë drejtimi po shkon bota. Nëse nuk e bëjmë ne, atëherë kush? Kush do të punojë dhe do të sjellë një model ndryshe” tha ajo.

Arbis Vjerdha, anëtar i këshillit bashkiak të Shkodrës me keqardhje, tha se konstaton që “ishim më mirë kur ishim më keq” referuar kohës së diktaturës. “Jam socialist me bindje, por i djathtë nga bota e biznesit, Rilindja është sekt. Për PS mund të flas dy fjalë, por Rilindja është sekt. Cfarë të pëlqen nga qeverisja vendore dhe qendrore? Asgjë. Është shumë mjerane kur një person si unë 45 vjec që kam jetuar edhe pak kohën e xhaxhait, të them ishim më mirë kur ishim më keq. Cdo gjë funksiononte më mirë përveç lirisë së fjalës”.

Pedagogu Rezart Prifti kishte një parashikim të zymtë. “Po mendonim ne tani po e mendojmë si qesharake por në Manëz është një qytet me komunitet specifik, iranianë, shtoi edhe një apo dy të tjerë. Tani i themi iranianë, pas 10 vitesh ai do të ketë biznes të vetin, dhe do të vijë në Bllok, do njohë “Manushaqen” dhe do të fillojnë kryqëzimet. 

Dhe sic na shkurtoi greku dhe errësoi turku ne do të vijojmë ta kemi. Sot që flasim probabiliteti që të ndodhë është më i shpejtë. Dhe ka më pak shqiptarë sesa dikur dhe në këtë sens kjo është gjëja më e rrezikshme, jo vetëm shpopullimi por edhe denatyralizimi i shqiptarëve” tha ai.

Por, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi ka një këndvështrim tjetër. “Gjithsecili që vendos që të ikë nga ky vend nga pikëpamja ekonomike, liri demokracia, zhvillim personal, ka një lloj ndarje, nuk po them se po ikin se po vdesim për bukë. Gjithsecili evoluon brenda tij. Jemi ne që e kemi bërë fatin tonë. Shpresë ky vend ka, në momentin që gjithsecili të bëjë detyrën qytetare atje ku qoftë, e para do të nënvizoja heqjen e të bërit opinion, por punë” tha ai./ db/Abcnews.al