Përplasja mes Francës dhe Australisë ende nuk është shuar pas tensioneve të forta diplomatike për çështjen e nëndetëseve. Pas akuzave të reja nga Presidenti francez Macron, mediat australiane kanë nxjerrë disa mesazhe të komunikimit mes tij dhe kryeministrit Scott Morrison.
“A duhet të pres lajme të mira apo të këqija për ambicien tonë të përbashkët të nëndetëseve?”, shkroi Macron në një mesazh drejtuar kryeministrit australian Scott Morrison teksa u zbulua sot në mediat australiane.
Rrjedhja e mesazheve në media vjen në një kohë kur Canberra po përpiqet të rrëzojë akuzat se ka gënjyer Parisin për marrëveshjen e nëndetëseve SHBA-Australi-Britani.
Mesazhet që janë dy ditë përpara shpalljes së paktit “AUKUS” që dëshmon gjithashtu se Presidenti Macron ishte në ankth deri në minutën e fundit për fatin e marrëveshjes së nëndetëseve.
Në shtator, Australia anuloi marrëveshjen me Francën, duke zgjedhur të marrë 12 nëndetëse me energji bërthamore sipas një marrëveshjeje me SHBA-në dhe Britaninë.
Anulimi i marrëveshjes me Parisin shkaktoi tensione në marrëdhëniet mes dy vendeve, ku Emanuel Macron deklaroi të dielën se kryeministri i Australisë, Scott Morrison e ka gënjyer. Nga ana e tij, Morrison mohoi pretendimin e presidentit francez./ Abcnews.al