Cristiano Ronaldo është një legjendë e gjallë e futbollit. Ylli portugez i Juventusit ndodhet prej vitesh në majat e lojës më të bukur me top, por mbërritja deri këtu nuk ka qenë aspak e thjeshtë, përkundrazi.
Fëmijëria e tij ishte tepër e komplikuar. Varfëri e madhe, vështirësi pafund dhe një baba që vetëm pinte e ishte gjatë gjithë kohës i dehur. Për fat të keq ai u largua herët nga kjo botë dhe nuk arriti të shijonte sukseset e mëdha të Cristianos…
Djaloshi nga Madeira nuk ngopej me ushqim, por vuajtjet e mëdha të bëjnë akoma më të fortë. CR7 zbuloi para pak ditësh në një prononcim për “Good Morning Britain”, se ai dhe shokët e tij qëndronin para një Mc Donalds për të mbushur barkun.
Stafi përbëhej nga njerëz me zemër të madhe. Njëra prej tyre quhej Edna. Cristiano ka vite që nuk e sheh, por nuk e ka harruar kurrë. Ai dëshiron që t’i takojë një ditë Ednën dhe shoqet e saj dhe dëshiron t’iu dhurojë një darkë në Torino ose Lisbonë.
“Isha 12 vjeç dhe nuk kisha para. Jetoja bashkë me djem të tjera nga vende të ndryshme të Portugalisë. Ishte një situatë e vështirë, pasi jetoja larg familjes time. Pranë kishim një Mc Donalds dhe ne iu kërkonim shitësve hamburgerë që kishin mbetur pa u shitur. Një zonjë e quajtur Edna, bashkë me dy vajza të tjera na jepnin për të ngrënë atë që kishte mbetur. Shpresoj që kjo intervistë të më ndihmojë që t’i gjej këto persona. Dua t’i ftoj për një darkë në Torino ose Lisbonë. Nuk e kam harruar kurrë atë periudhë dhe tani dua t’ua kthej mbrapsht atë që më kanë dhuruar”, shprehej 34-vjeçari.
Dëshira e tij është realizuar dhe në skenë është shfaqur Paula Leca, një prej punëtoreve që shërbenin në atë Mc Donalds vite më parë. Kjo e fundit ka folur për “Radio Renascenca”, duke iu rikthyer kujtimeve me djemtë e talentuar dhe të varfër, të cilët ëndërronin të bëheshin një ditë futbollistë të mëdhenj.
“Qëndronin para kasës, sikur të mos donin asgjë. Kur kishte shumë hamburgerë, menaxheri na jepte leje t’ua dhuronim atyre djemve. Një prej tyre ishte edhe Cristiano Ronaldo, i cili ishte më i tremburi nga të gjithë. Ftesa për darkë? Nëse ndodh diçka e tillë, do të pranoj me kënaqësi dhe do e falënderoj Cristianon nga zemra”, përfundon Paula Leca. /abcnews.al