Të pandalshëm në “shtëpi”, “Villa Park” një “fortesë” për skuadrën e Aston Villa

schedule15:56 - 13 Dhjetor, 2023

schedule 15:56 - 13 Dhjetor, 2023

E parashikoi “legjendari” Sir Alex Ferguson në fillim të sezonit dhe ashtu rezultoi me të vërtetë. Aston Villa është padiskutim surpriza më e bukur e kampionatit anglez, me ekipin e teknikut spanjoll, Unay Emery që po shijon një moment fantastik, pasi aktualisht mban vendin e 3-të në tabelën e Premier League me plot 35 pikë, 1 më pak se Arsenal i vendit të 2-të dhe 2 më pak se Liverpool i vendit të parë.

Titulli është një fjalë e madhe në fjalorin e klubit për momentin, por kjo formë i lejon ata që të shpresojnë edhe pse sezoni është i gjatë, megjithatë momentalisht Aston Villa krenohet me faktin se në këtë edicion ka 8 fitore në 8 takimet e luajtura në “Villa Park”, por jo vetëm kaq, pasi me suksesin e fundit, atë ndaj “Topçinjve” të Arsenal, skuadra ka vendosur një rekord të veçantë.

Triumfi ndaj “londinezëve” ishte suksesi i 15-të radhazi në shtëpi, një formë që Aston Villa nuk e kishte prekur kurrë më parë në historinë e saj 149-vjeçare, teksa përgjatë këtyre 15 fitoreve ka mundur skuadra si Tottenham, Neëcastle, Manchester City, Brighton, Everton dhe vetë “Topçinjtë”, të cilët ishin pikërisht këta të fundit, që i “dhuruan” humbjen e fundit, teksa fitonin më 18 shkurt të këtij, me rezultatin e thellë, 4 me 2.

Prej asaj sfide, skuadra e Unay Emery nuk është ndalur në Premier League duke koleksionuar vetëm fitore, teksa ka hyrë në muajin e 10-të sa i përket këtij rekordi dhe tashmë Aston Villa sheh përpara një kalendar deri diku të favorshëm sa i përket kampionatit dhe objektivave sezonal, ndërsa deri në përfundim të këtij viti, në “Villa Park” do të zbresin Sheffield United më 22 dhjetor dhe Burnley më 30 dhjetor. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!