Të paktën 71 persona kanë vdekur nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet në qytetin brazilian të Petropolis, thanë zyrtarët.Qyteti, i cili ndodhet në malet në veri të Rio de Zhaneiros, u godit nga reshjet e rrëmbyeshme. Shtëpitë në lagjet e kodrave u shkatërruan dhe ujërat e përmbytjeve vërshuan nëpër rrugët e qytetit.
Kryebashkiaku i qytetit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ekipet e kërkim-shpëtimit po krehin baltën për të mbijetuarit. Videot e shpërndara në mediat sociale treguan dëme të mëdha dhe automjete që notonin në rrugë.
“Kam gjetur një vajzë që u varros e gjallë,” tha Wendel Pio Lourenco, për agjencinë e lajmeve “AFP” ndërsa po shkonte në një kishë lokale në kërkim të strehimit. “Të gjithë thonë se duket si një zonë lufte”. Presidenti Jair Bolsonaro, i cili ndodhet në një udhëtim zyrtar në Rusi, ka thënë se do të organizojë ndihmë të menjëhershme për viktimat.
Më shumë se 180 ushtarë janë vendosur dhe ekipe më të specializuara kërkimi pritet të mbërrijnë më vonë të mërkurën raporton “BBC”. Në një nga lagjet më të goditura, 80 shtëpi vlerësohet të jenë dëmtuar nga përmbytjet. Petropolis, dikur rezidenca verore e perandorit brazilian, është një destinacion popullor turistik.
Por vendndodhja e saj do të thotë se është gjithashtu e prirur ndaj rrëshqitjeve të dheut. Incidenti më i rëndë ndodhi në vitin 2011, kur më shumë se 900 njerëz humbën jetën pasi rrëshqitjet e dheut goditën Petropolis dhe qytetet fqinje. /abcnews.al

