30 persona humbën jetën në El Tarf, në skajin lindor të Algjerisë pranë kufirit me Tunizinë, 5 në Souk Acras, dy gra në Setif dhe një person tjetër në Gelma, në lindje, sipas autoriteteve.
Përveç kësaj, më shumë se 200 persona janë lënduar, siç raportojnë mediat lokale. Nga 39 zjarret që kanë shpërthyer në 14 departamente në veri të Algjerisë, disa janë ende aktive dhe autoritetet kanë frikë se do të formohen vatra të reja për shkak të erërave të forta.
Ndërkohë, Algjeria mori me qira një avion rus Beriev BE 200, por pas ndërhyrjes në disa vatra, ai u dëmtua dhe ka qenë jashtë shërbimit që nga e shtuna, tha ministri i Brendshëm Kamel Beljoud.
Sipas të dhënave, 97 gra dhe 17 foshnja të porsalindura u detyruan të largoheshin nga një klinikë që ndodhej pranë vendit të zjarrit, ndërsa pamjet nga rrjetet televizive tregonin banorët që largoheshin nga shtëpitë e tyre të përfshirë nga flakët.
Më shumë se 350 familje u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre. Zjarret në pyje shpërthejnë çdo vit në veri të Algjerisë, por këtë vit fenomeni është përkeqësuar për shkak të ndryshimeve klimatike.
Vera e kaluar ishte më vdekjeprurja në gati 60 vite: të paktën 90 njerëz vdiqën nga zjarret në veri të Algjerisë, ndërsa më shumë se 1,000,000 hektarë u dogjën.
Që nga fillimi i gushtit të këtij viti në Algjeri janë regjistruar 106 zjarre, të cilat kanë shkatërruar 26 mijë hektarë.
/abcnews.al