Të paktën 13 të vdekur nga vërshimet në Itali

schedule19:33 - 18 Maj, 2023

schedule 19:33 - 18 Maj, 2023

Të paktën 13 persona kanë vdekur nga vërshimet në rajonin verior italian Emilia-Romana, duke shkaktuar dëme në vlerë prej miliarda eurosh.

Guvernatori rajonal tha se sektori i bujqësisë është goditur më së shumti.

Shirat e rrëmbyeshëm këtë javë kanë goditur pjesën lindore të këtij rajoni, të njohur si Romana, duke shkaktuar mbi 300 rrëshqitje të dheut, duke nxjerrë nga shtrati 23 lumenj dhe duke shkatërruar 400 rrugë. Si pasojë e reshjeve, 23 komuna janë përmbytur.

“Ne po përballemi me një tërmet të ri”, tha presidenti i rajonit Emilia-Romana, Stefano Bonaccini, duke kujtuar tërmetin e vitit 2012 që kishte shkatërruar mijëra shtëpi në këtë rajon.

Ai tha se pas tërmetit, gjithçka në këtë rajon u rindërtua dhe “përvoja na ka mësuar se kjo mund të bëhet dhe jam i sigurt se sërish do të rindërtojmë gjithçka”.

Numri i viktimave u rrit të enjten, duke shkuar në 13, pasi u zbuluan trupat e pajetë të katër personave. Sipas autoriteteve lokale, në qytetin Rusi, dy persona të moshës 73 dhe 71 vjeç, u gjetën së bashku në shtëpinë e tyre.

Sipas shoqatës së bujqësisë, mbi 5.000 ferma janë nën ujë në këtë rajon, përfshirë edhe fusha të mbjella me grurë dhe drithëra të tjera.

“Ne veçse kemi vlerësuar se janë shkaktuar dëme prej pothuajse 1 miliard eurosh, prandaj imagjinoni se sa kjo shifër do të rritet”, tha Bonaccini.

Vërshimet janë në mesin e disa ngjarjeve të motit ekstrem që kanë goditur Italinë gjatë këtij viti.

Qeveria ka premtuar se do të japë edhe 20 milionë euro shtesë për ndihmë emergjente, përveç 10 milionë eurove që kishte ndarë për përgjigje ndaj vërshimeve para dy muajve, që vranë të paktën dy persona.

Të paktën 10.000 persona janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre, dhe banorët që janë ende në zonat e prekura nga vërshimet kanë mbetur pa energji elektrike.

Edhe gara e Formulës 1 u anulua për shkak të vërshimeve.

Kjo është hera e dytë brenda këtij muaji që rajoni Emilia-Romana përballet me mot të keq. Shirat e mëdha vijnë disa muaj pasi ky rajon u përballë me thatësira./REL