Kandidati për deputet i PD-së në Dibër, Xhelal Mziu është proceduar penalisht pas deklaratës , ku u bënte thirrje qytetarëve që çdo person të dyshimtë sa i takon blerjes së votave, ta raportonin te grupet e posaçme që PD-ja ka ngritur dhe do ta pësonin njëlloj si ai në Elbasan, duke iu referuar kështu ngjarjes së rëndë, në të cilën humbi jetën Pjerin Xhuvani.
Sipas policisë së Dibrës, Mziu ka kërcënuar dhe ka bërë thirrje për të nxitur dhunë duke bërë prezente ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.
Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryejnë veprime duke cënuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.
Njoftimi i policisë:
Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ka filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, në ngarkim të shtetasit XH.M, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike në qarkun Dibër.
Kjo pasi gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, shtetasi XH.M, ka kërcënuar dhe ka bërë thirrje për të nxitur dhunë duke bërë prezenet ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.
Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryejnë veprime duke cënuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve./abcnews.al/

